
Komisioni për Çështjet Ekonomike dhe Monetare i Parlamentit Europian miratoi të martën projektin për euron digjitale, një hap i rëndësishëm në përpjekjet e Bashkimit Europian për të forcuar pavarësinë financiare dhe për të reduktuar varësinë nga sistemet amerikane të pagesave.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore Europiane (BQE), gjigantët amerikanë të pagesave Visa dhe Mastercard përpunojnë 61% të pagesave me kartë në eurozonë dhe pothuajse të gjitha transaksionet ndërkufitare me kartë.
Euroja digjitale do të jetë një formë elektronike e parasë së bankës qendrore, e emetuar dhe garantuar nga BQE-ja. Ajo synon të plotësojë përdorimin e parasë fizike dhe shërbimeve ekzistuese bankare, pa i zëvendësuar ato.
Sipas planit, qytetarët do të mund të mbajnë euro digjitale në një portofol elektronik të dedikuar, ndërsa sistemi do të mbështesë pagesa si online ashtu edhe offline. Autoritetet europiane theksojnë se projekti do të garantojë një nivel të lartë privatësie për përdoruesit, shkruan A2CNN.
BQE-ja do të sigurojë infrastrukturën teknologjike, ndërsa bankat tregtare dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave do të ofrojnë shërbimet për klientët.
Miratimi i projektit u cilësua si një fitore e madhe për qytetarët dhe bizneset e vogla. Euroja digjitale pritet të hyjë në përdorim deri në vitin 2029, ndërsa negociatat me 27 shtetet anëtare të BE-së do të nisin pas votimit përfundimtar në seancën plenare të Parlamentit Europian në korrik.
(A2 Televizion)