Shtetet e Bashkuara hoqën përkohësisht sanksionet ndaj Iranit për 60 ditë, duke filluar nga e hëna, pas bisedimeve të para në kuadër të një marrëveshjeje të re paqeje. Ky hap do të lejojë Iranin të shesë naftë në dollarë amerikanë, për herë të parë në dekada.
Po ashtu, kryenegociatori iranian Mohammad Bagher Ghalibaf ka deklaruar se është arritur një marrëveshje me SHBA për zhbllokimin e 12 miliardë dollarëve fonde të ngrira iraniane, që do të ndahen në dy pjesë me nga 6 miliardë dollarë.
Sekretari i Thesarit Scott Bessent deklaroi se heqja 60-ditore e sanksioneve ishte bërë në këmbim të angazhimit të Iranit për të mbajtur Ngushticën e Hormuzit të hapur e për të lejuar inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore në vend. Më herët, zv.presidenti JD Vance tha se diskutimet me agjencinë bërthamore mund të nisin shumë shpejt, por Irani mohoi pretendimet, duke theksuar se vendi i tyre nuk ka marrë angazhime të reja mbi inspektimet bërthamore.
Esmaeil Baghaei, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme shprehet: “Nuk kemi zhvilluar asnjë takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, dhe gjithashtu nuk kemi asnjë plan për inspektime të agjencisë në objektet bërthamore iraniane që u dëmtuan si pasojë e sulmeve ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe regjimi sionist. Në fakt, nuk ekziston asnjë procedurë e parashikuar në këtë drejtim.”
Gjatë raundit të parë të bisedimeve në Zvicër, palët ranë dakord për një mekanizëm që synon t’i japë fund luftimeve në Liban mes Izraelit dhe Hezbollahut. Po ashtu, u krijua një kanal komunikimi për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të konfliktit në këtë rrugë ujore strategjike.
Megjithatë, Irani e ka bërë të qartë se menaxhimi i Ngushticës së Hormuzit nuk do të jetë më kurrë si para luftës. “Natyrisht normat ndërkombëtare do të respektohen, por do të jetë Irani që do ta menaxhojë ngushticën”, tha kryenegociatori Ghalibaf. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump paralajmëron se do të bëjë “çfarë të jetë e nevojshme” nëse Irani nuk respekton pjesën e tij të marrëveshjes. (A2 Televizion)