
Vala e të nxehtit që ka përfshirë Evropën po shkakton pasoja tragjike, ndërsa autoritetet franceze raportojnë se të paktën 40 persona kanë humbur jetën nga mbytja që prej javës së kaluar, teksa kërkonin të freskoheshin në lumenj, liqene dhe zona të pambikëqyrura ujore.
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, tha se numri i viktimave është rritur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, ndërsa temperaturat kanë arritur nivele rekord në shumë qytete të vendit. Ministrja e Sportit dhe Rinisë, Marina Ferrari, paralajmëroi qytetarët të shmangin notin në zona të rrezikshme dhe pa mbikëqyrje.
Franca ka regjistruar ditën dhe natën më të nxehtë të muajit qershor në histori, me më shumë se gjysmën e territorit nën alarm të kuq. Mes viktimave është edhe një vajzë 13-vjeçare që humbi jetën në lumin Sena, ndërsa një futbollist i ri profesionist ndodhet në gjendje kritike pasi u nxor nga lumi Ron pranë Lionit.
Temperaturat ekstreme kanë goditur edhe Spanjën dhe Italinë. Në Spanjë pritet që termometri të kalojë 44 gradë Celsius në disa zona, ndërsa në Itali alarmi i kuq është shpallur në 15 qytete të mëdha, përfshirë Romën, Milanon, Firencen dhe Venecian, shkran A2CNN.
Autoritetet italiane kanë rikthyer masat emergjente për mbrojtjen e punëtorëve që punojnë në ambiente të hapura, ndërsa kompanitë që pezullojnë aktivitetin për shkak të vapës do të përfitojnë mbështetje financiare nga shteti.
Ndërkohë, vala e të nxehtit ka shkaktuar probleme edhe në infrastrukturë. Një central bërthamor në Francën jugperëndimore u detyrua të ndërpresë aktivitetin për shkak të rritjes së temperaturës së ujit në lumin Garonne, ndërsa monumente dhe institucione të rëndësishme kulturore në Paris, përfshirë Kullën Eiffel dhe Muzeun e Luvrit, kanë reduktuar oraret e punës.
(A2 Televizion)