
Një valë sulmesh izraelite goditi Gazën në mbrëmje, teksa gjithë bota po përshëndeste një marrëveshje në letër që Izraeli dhe Hamasi kishin rënë dakord për një armëpushim për pengjet. Sulmet izraelite goditën Gazën qendrore dhe zonën në jug, duke vrarë të paktën 11 persona. Megjithatë, jehona e marrëveshjes ende sillet në ajër si një mundësi paqeje. Marrëveshja e arritur me Hamasin është një "lëvizje e rëndësishme" dhe është e nevojshme për të rikthyer pengjet, tha të mërkurën presidenti izraelit Isaac Herzog, në atë që ishte konfirmimi i parë zyrtar publik izraelit i marrëveshjes, shkruan A2 CNN.
Ai u zotua të kthente të gjithë pengjet, duke thënë se Izraeli kishte "dështuar në detyrën e tij" për t'i mbrojtur ata. Ai i kërkoi qeverisë dhe kabinetit që ta miratojnë marrëveshjen kur t'u paraqitet. Herzog falënderoi gjithashtu ndërmjetësuesit Katarin, Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë presidentin e sapozgjedhur Donald Trump dhe ekipin e tij. Po kështu, më herët edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka mirëpritur shpalljen e marrëveshjes së armëpushimit për pengjet.
Ai përgëzoi ndërmjetësuesit Katar, Egjipt dhe Shtetet e Bashkuara për “përpjekjet e tyre të përkushtuara në ndërmjetësimin e kësaj marrëveshjeje”. Ai tha se armëpushimi duhet të heqë pengesat për dërgimin e ndihmave në Gaza mes situatës "katastrofike" humanitare në enklavë. “Kjo marrëveshje është një hap i parë kritik,” tha ai.
Por jo të gjithë duket se janë dakord me këtë marrëveshje. Menjëherë ka ardhur reagimi i Ministrit të Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich. Ai ka lëshuar një kërcënim për të dhënë dorëheqjen në vend që të pranojë kushtet e marrëveshjes së armëpushimit për pengjet.
"Marrëveshja që do të sillet përpara qeverisë është një marrëveshje e keqe dhe e rrezikshme për sigurinë kombëtare të shtetit të Izraelit," tha ligjvënësi i ekstremit të djathtë në një deklaratë në emër të partisë së tij të Zionizmit Fetar, e cila është kundër çdo lëshimi ndaj Hamasit. "Ne e kundërshtojmë atë me gjithë forcën." (A2 Televizion)