Braktisi gjithçka për shkak të luftës, historia e mjekes palestineze

Nga A2 CNN
30 Janar 2024, 11:11 | Bota

Braktisi gjithçka për shkak të luftës, historia e mjekes

Asel Abu Hadaf, që kur ka qenë e vogël e ka pasur ëndërr të bëhej mjeke. Përfundoi studimet e saj dhe ia doli të plotësonte këtë dëshirë. Por, kur gjithçka po shkonte shumë mirë, lufta në Gaza ndërpreu çdo gjë.

Shtëpia e saj, universiteti dhe çdo gjë tjetër sot janë vetëm rrënoja. Asel Abu Hadaf ndjen detyrim moral të kujdeset për njerëzit, që së bashku me të, janë vendosur në një kamp në Rafa. 

Kur lufta shpërtheu, ajo dhe familja e saj lanë shtëpinë në Khan Younis dhe tani fokusi i Asel Hadaf nuk është më studimi për mjekësi, por vetëm sigurimi i ushqimit, ujit dhe ilaçeve për familjarët e saj.

“Shpresoj të kthehem në shtëpinë time, edhe pse tani kanë mbeur vetëm disa rrënoja prej saj. Mendoj se mund të jem në gjendje të rikuperoj disa nga kujtimet dhe librat e mi, librat dhe shënimet që kam shkruar vetë janë shumë të rëndësishëm për mua. Shpresoj të mund të gjejmë ndonjë gjë nën rrënoja kur të kthehemi. Gjithashtu, shpresoj të kthehem në universitetin tim dhe te miqtë e mi, në ditët dhe kujtimet e dikurshme. Tani mund të them që e ardhmja dhe jeta jonë është shkatërruar, ne nuk kemi më asnjë ëndërr. Por, edhe kur lufta të ketë mbaruar, sa ditë do të na duhet të për të rikuperuar ditët tona të zakonshme, shtëpitë dhe universitetin tonë? Nuk ka mbetur asgjë, as pemë e as gurë”, thotë Hadaf.

Që prej fillimit të tetorit të vitit të kaluar, lufta në Gaza bëri që shumë familje të zhvendosen prej andej, shumë shtëpi, rrugë dhe shkolla janë shkatërruar. Kjo situatë ka shkaktuar një mungesë të theksuar të ushqimeve, ujit apo edhe të ilaçeve.

“Këta zogj janë të vëllait tim, emrat i kanë Rosa dhe Za'faran. Kur u larguam për herë të parë nga shtëpia për shkak të luftës, menduam se ajo do të zgjaste dy ditë, kështu që i lamë atje, por kur lufta u bë më intensive dhe e gjatë, ne na u desh të ktheheshim dhe t'i merrnim këta shpendë, vuajtëm shumë për t'i tërhequr nga shtëpia jonë në Khan Younis”, tregon studentja.

Konflikti në Gaza filloi më 7 tetor, kur luftëtarët e Hamasit sulmuan mbrojtjen kufitare për të sulmuar bazat dhe qytetet izraelite, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe duke kapur më shumë se 200 pengje. Bombardimet intensive të Izraelit në Gaza që nga fillimi i këtij konflikti kanë vrarë afro 25.000 palestinezë, thonë autoritetet shëndetësore atje dhe kanë lënë miliona të pastrehë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos