Britania do të njohë shtetin palestinez? Cameron: Jetike për paqen dhe sigurinë në rajon

Nga Rosalba Bejdo
2 Shkurt 2024, 15:19 | Bota

Britania do të njohë shtetin palestinez? Cameron: Jetike për

Britania e madhe mund të njohë zyrtarisht një shtet palestinez pas armëpushimit në Gaza, pa pritur për rezultatin e bisedimeve shumëvjeçare mes Izraelit dhe Palestinezëve për një zgjidhje me dy shtete.

Këtë e tha kryediplomati brtianik, David Cameron në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Megjithatë, gjatë vizitës në Liban të enjten, me qëllim të zbutjes së tensioneve rajonale, ai e bëri të qartë se nuk do të ketë asnjë njohje për sa kohë që Hamasi vijon të jetë në Gaza.

Njohja, sipas tij, mund të vijë ndërsa vazhdojnë negociatat mes Izraelit dhe palestinezëve.

“Njohja nga Mbretëria e Bashkuar dhe OKB e një shteti të pavarur palestinez nuk mund të vijë në fillim të procesit, por nuk duhet të jetë në fund të tij. Mund të jetë diçka që merret në konsideratë pasi procesi dhe përparimi drejt një zgjidhjeje, bëhet më real. Ajo që duhet të bëjmë është t'i japim popullit palestinez një mundësi drejt një të ardhmeje më të mirë, të ardhmes për të pasur shtetin e tyre.”

Sipas Cameron, një perspektivë e tillë është jetike për paqen dhe sigurinë afatgjatë të rajonit.  

Britania, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore e kanë mbështetur idenë e një shteti të pavarur palestinez që ekziston përkrah Izraelit, si një zgjidhje për konfliktin më të vështirë të rajonit, por kanë thënë se pavarësia duhet të vijë si pjesë e një zgjidhjeje të negociuar.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nga ana e tij, e ka kundërshtuar publikisht krijimin e një shteti të pavarur palestinez pas luftës.

Madje ai është mburrur gjatë javëve të fundit se ka luajtur një rol të rëndësishëm në parandalimin e krijimit të shtetit palestinez.

Por, teksa ndërkombëtarët kushtëzojnë zgjidhjen e dy shteteve me largimin e militantëve të Hamas këta të fundit thonë se nuk do të ikin nga Gaza si pjesë e një marrëveshje për armëpushim.

A2 CNN Livestream

Dita jonë