Dëshmi për mbrojtjen e bizneseve, Trump grindet ashpër për 4 orë me gjykatësin në SHBA

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2023, 16:18 | Bota

Për gati 4 orë në bankën e të akuzuarve, Trump vazhdimisht u përplas me gjykatësin, Arthur Engoron.

“Jam i sigurtë se gjykatësi do të vendosë kundër meje, pasi gjithmonë e bën këtë”, tha Trump, me gjykatësin që u përgjigj: “mund të më sulmosh, mund të bësh çfarë të duash, por përgjigju pyetjes”.

Në një tjetër përplasje të ashpër, gjykatësi duhej të këshillonte avokatin mbrojtës që të kontrollonte klientin e tij duke thënë: ky nuk është një tubim politik.

“Jemi këtu për të dëgjuar përgjigje dhe shumicën e kohës ai nuk e bënë këtë”, shtoi gjykatësi dhe më pas paralajmëroi me largimin e Trump nga salla.

Lidhur me pasqyrat financiare, që janë thelbi i çështjes, Trump theksoi: “Mund t’i shoh dhe me rast mund të kem dhe sugjerime”.

Për rolin e tij në formulimin e atyre pasqyrave, ish presidenti sqaroi se vetëm i ka pranuar ato dhe nuk ka kërkuar që shifrat të ishin më të larta apo më të ulëta.

Trump u pyet edhe për vlerën e aseteve të tij, përfshirë apartamentin e tij në Trump Tower, i cili në pasqyrat financiare rezulton t’i ketë rënë vlera me më shumë se 200 milionë dollarë brenda një viti.

“Mendova se vlera e tij ishte e lartë dhe e ndryshuam”, u shpreh ai.

Për një kohë të gjatë, ish presidenti ka pretenduar se prona në Mar-a Lago të Floridas ishte e nënvlerësuar, duke thënë se sot vlen nga 1 deri në 1.5 miliardë dollarë.

Gjykatësi citoi një vlerësim nga zyra e taksave në Florida duke thënë se prona arrin në vetëm 18 milionë dollarë dhe konsideroi Trumpin, djalin e tij të madh dhe kompaninë “të përkushtuar në mashtrim të përsëritur dhe të vazhdueshëm”.

Në gjyqin kundër Trump do të përcaktohen penalitetet, ndërsa prokurorët po kërkojnë një gjobë prej 250 milionë dollarësh dhe kufizime të tjera të ashpra për bizneset e tij. Ai akuzohet se ka mashtruar banka për vlerën reale të pronave dhe bizneseve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos