4 vite pas largimit të rrëmujshëm nga Shtëpia e Bardhë, Donald Trump rikthehet bujshëm si president i 47 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Republikani 78 vjeçar siguroi votat e nevojshme elektorale për të marrë një mandat të ri 4 vjeçar, si udhëheqës i SHBA, duke e vulosur fitoren më lehtësisht nga ç’kishin parashikuar sondazhet.
Pasi u projektua si fitues në shtetet e pavendosura, të Xhorxhias, Karolinës së Veriut e Pensilvanisë, Trump kaloi pragun e 270 votave të nevojshme elektorale me fitoren në Uiskonsin. Ai është presidenti i dytë në histori që do të drejtojë për dy mandate jo të njëpasnjëshme, dhe më i moshuari që zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Trump, i cili në ndryshim nga 2016, ka siguruar edhe shumicën e votës popullore, shpalli fitoren në orët e para të së mërkurës, duke e cilësuar atë si historike dhe të paprecedentë.
“Tejkaluam pengesa që askush nuk do t’i kishte konsideruar të mundura, dhe tani është e qartë se kemi arritur gjënë më të jashtëzakonshme politike. Shihni se çfarë ndodhi. A nuk është çmenduri? Është një fitore që vendi ynë nuk e ka parë kurrë më herët. Prandaj dua të falënderoj popullin amerikan për nderin e jashtëzakonshëm që më zgjodhi si presidentin e 47 dhe të 45”, u shpreh Trump.
Karriera politike e Donald Trump, u duk se shkoi drejt fundit pasi pretendimet e pabaza për manipulime në zgjedhje, nxitën mbështetësit e tij të mësynin godinën e Kongresit në një përpjekje për të përmbysur rezultatin e presidencialeve të 2020-tës.Por ai arriti të mënjanonte çdo sfidues brenda Partisë Republikane dhe më pas mundi rivalen demokrate Kamala Harris, duke kapitalizuar shqetësimet e votueseve për çmimet e larta, krimin në rritje dhe emigracionin e paligjshëm.
Çështja e ekonomisë rezultonte sipas sondazheve si më e rëndësishme dhe shumica e votuesve besonin më shumë 78 vjeçarin në këtë aspekt.
Hispanikët, votues tradicional të demokratëve, të cilët janë mes kategorive të goditura më rëndë nga inflacioni, duket se kanë ndikuar në fitoren e republikanit.
Po ashtu, baza besnike e kampit të kuq, votuesit ruralë, ata të bardhe e të padiplomuar dolën masivisht për të votuar.
Por ajo e Trump nuk ështe e vetmja fitore së cilës i gëzohen republikanët. Ata marrin gjithashtu kontrollin e senatit, i cili deri më tani ishte në duart e demokratëve.
Demokratët i kanë varur të gjitha shpresat tek dhoma e përfaqësuesve, por për të mësuar rezultatin atje do duhet pritur ndoshta disa ditë.
Nëse do të sigurojë kontrollin e të gjithë Kongresit, Trump do të ketë dorë të lirë në udhëheqje, pasi nuk do të ketë pengesa në miratimin e legjislacionit. (A2 Televizion)