Dronë kundër bazës së SHBA! Amerika bombardon grupin e mbështetur nga Irani në Jemen

Nga Xhevahir Qardaku
5 Shkurt 2024, 11:44 | Bota
 

Raketat amerikane ranë sërish në Jemen. Shtetet e Bashkuara sulmuan shënjestra të militantëve Houthi, të mbështetur nga Irani. Komanda Qendrore njoftoi se forcat amerikane goditën një raketë lundrimi dhe katër raketa të tjera që “ishin përgatitur për t’u lëshuar kundër anijeve në Detin e Kuq”. Ky shtim i veprimeve luftarake vjen një ditë pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Britani ndaj objektivave Houthi. Mbretëria e Bashkuar thotë se këto ishin në vetëmbrojtje për të ndaluar sulmet e militantëve ndaj anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq. Houthit janë zotuar se sulmet “nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”.

“Forcat e armatosura të Jemenit konfirmojnë se kundërpërgjigjja ndaj sulmeve amerikane dhe britanike është e pashmangshme dhe se çdo agresion i ri nuk do të mbesë pa ndëshkuar”, u shpreh Gjeneral Yahya Saree, Zëdhënës i Militantëve Houthi.

SHBA-ja po përpiqet të pengojë sulmet nga grupet e mbështetura nga Irani duke shmangur një konflikt më të gjerë.

 “Presidenti ishte i qartë kur urdhëroi sulmet. Ky është vetëm fillimi i reagimit tonë. Do të ketë hapa të tjerë”, shtoi Jake Sullivan, Këshilltar për Sigurinë Kombëtare, SHBA.

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë sulme të tjera në shënjestra që lidhen me militantët të lidhur dhe mbështetur nga Irani, në kundërpërgjigje ndaj sulmit në Jordani që vrau 3 ushtarë amerikanë. Ndërkohë, 5 luftëtarë të forcës demokratike siriane, pjesë e ushtrisë që drejtohet nga kurdët, janë vrarë pas një sulmi në një bazë amerikane në Sirinë lindore. Sulmi dyshohet të jetë kryer nga militantë të mbështetur nga Irani.

A2 CNN Livestream

Dita jonë