“Duhet që Palestina të jetë shtet”, ushtari izraelit: Nuk u vë faj palestinezëve që na urrejnë

Nga Xhevahir Qardaku
5 Shkurt 2024, 11:40 | Bota

Ky ushtar izraelit pranon për CNN realitetin e luftës duke lënë anash pjesën politike.

“Nuk u vë faj palestinezëve në Gaza që urrejnë Izraelin tani. Ata kanë arsye vërtet të mira. Kur sheh qytete në zjarr dhe që po bombardohen… Unë kisha një mik të ngushtë të vrarë në Gaza dhe po mendoj për njerëzit, familjet e të cilëve vdiqën në bombardime”, tregon Amos Shani Atzmon, Rezervist në Forcat e Armatosura të Izraelit.

Ky reservist në ushtrinë izraelite, vetëm 26 vjeç, është thirrur në detyrë vetëm disa orë pasi Hamasi nisi sulmin e tmerrshëm kundër Izraelit, duke vrarë rreth 1200 persona dhe marrë peng 253 të tjerë. Atzmon thotë se kaloi verën e shkuar duke protestuar kundër kryeministrit Benjamin Netanjahu, ndërsa mbështet krijimin e një shteti të Palestinës dhe dënon me forcë ndërtimet izraelite në Bregun Perëndimor.

“Populli palestinez nuk do të ndalojë kurrë së luftuari kundër nesh derisa të ketë autonominë e tij. Dhe unë mendoj se qëllimi përfundimtar duhet të jetë ky”, thotë ai.

Ushtari nënvizon se në këtë betejë po rreshtohet në anën e duhur të historisë. Ai nënvizon se ka të drejtë të mbrohet dhe të mbrojë familjen e tij, miqtë dhe të gjithë njerëzit, duke hedhur poshtë nocionin se sulmi terrorist i Hamasit ishte një akt “rezistence” kundër bllokadës izraelite. Pasoja e reagimit të Tel Avivit është katastrofike me mbi 27 mijë palestinezë të vrarë në Gaza, shumica gra dhe fëmijë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë sinjalizoi se ka shumë gjasa që Izraeli të jetë duke kryer gjenocid në Gaza dhe lëshoi urdhër që të merren masa për të kufizuar vrasjet e civilëve dhe shkatërrimin në enklavë. Megjithatë në terren, shumë pak ka ndryshuar.

A2 CNN Livestream

Dita jonë