Akuza të ashpra ka lëshuar “Wall Street Journal”, në drejtim të njeriut më të pasur në botë Elon Musk, duke shkruar se prej vitesh ai abuzon me lëndë narkotike të llojeve të ndryshme.
Sipas “WSJ”, prej kohësh drejtues dhe anëtarë të këshillit drejtues të kompanive të Musk janë të shqetësuar se varësia ndaj drogës përveçse mund të ketë pasoja në shëndetin e tij, mund të shkaktojë dhe probleme në asetet miliardëshe që ai zotëron.
Gazeta amerikane sjell dëshmitë e disa personave të cilët deklarojnë se e kanë parë Musk duke konsumuar lëndë të ndryshme narkotike duke filluar nga marijuhana, kokaina, hashashi, LSD apo dhe ekstazi në disa festa.
Njerëz të afërt me Musk sigurojnë gazetën se përdorimi i drogës prej tij po vazhdon, veçanërisht konsumimi i ketaminës, të cilën pronari i Tesla-s pretendon se e merr kundër depresionit me recetë mjekësore. Ndërsa avokati i tij, Alex Spiro, siguron se Musk i nënshtrohet rregullisht testeve të drogës në SpaceX dhe nuk ka dështuar kurrë. (A2 Televizion)