“Lava po lëviz nën qytet”, mijëra tërmete “shkundin” Islandën, shpallet gjendja e jashtëzakonshme

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2023, 13:21 | Bota

“Lava po lëviz nën qytet”, mijëra tërmete

Islanda është tronditur nga një seri tërmetesh relativisht të lehtë, por që kanë rritur ndjeshëm frikën për shpërthimin e mundshëm të një vullkani. Si masë paraprake, autoritetet kanë urdhëruar me mijëra persona të evakuohen nga qyteti jugperëndimor i Grindavík si masë paraprake.

Zyra e Meteorologjisë Islandeze ka thënë së fundmi se sasi të mëdha magme janë duke qarkulluar nën tokë dhe ekziston frika se ato mund të shkaktojnë aktivizimin e vullkanit.

Që nga fundi i tetorit janë regjistruar më shumë se 20 mijë lëkundje tërmeti në zonën pranë vullkanit Fagradalsfjall, i cili u riaktivizua në vitin 2021 pasi kishte rreth 800 vjet jo aktiv.

Të gjitha rrugët që të çojnë në qytezën me rreth 4 mijë banorë tashmë janë mbyllur, përveç rasteve urgjente, në mënyrë që në rast të një evakuimi të menjëhershëm të mos krijohet bllokim.

Zyra e Meteorologjisë Islandeze tha në një deklaratë të premten se kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme në aktivitetin vullkanit. “Lava është e vendosur nën qytet dhe ende nuk mund të përcaktohet koha dhe vendi ku ajo mund të shpërthejë. Sasia e magmës është shumë më e madhe se ajo që lidhet me shpërthimet në Fagradalsfjall”, tha Zyra e Meteorologjisë Islandeze.

Islanda është një nga zonat më aktive në botë, me rreth 30 zona vullkanike aktive.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Edicioni informativ nga Suela Demiri