Policia në Gjeorgji përdori ujin me presion dhe gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në kryeqytetin Tbilisi, të cilët edhe këtë të dielë ngritën zërin kundër vendimit të qeverisë për të pezulluar bisedimet e anëtarësimit të vendit me Bashkimin Evropian.
Agjencitë e lajmeve raportojnë se ka pasur dhjetëra arrestime gjatë protestës që pa mijëra gjeorgjianë të dilnin në rrugët e vendit duke akuzuar partinë qeverisëse “Ëndrra Gjeorgjiane” për politika gjithnjë e më autoritare anti-perëndimore dhe pro-ruse.
Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, policia përfundoi një bllokim prej disa orësh duke i larguar protestuesit nga zona e ndërtesës së parlamentit dhe duke i shtyrë ata poshtë Avenue Rustaveli drejt ndërtesës së Operas në Tbilisi, ndërsa ata filluan të ngrenë barrikada duke përdorur çfarëdo materiali që mund të gjenin.
Mes përleshjeve me policinë, protestuesit u detyruan të dilnin nga bulevardi teksa gjuanin me fishekzjarre në drejtim të kordonit.
Pas muajsh tensionesh në rritje, kriza u përkeqësua pasi qeveria njoftoi të enjten se do të ngrinte bisedimet me BE-në për katër vjet.
Nuk ishte ende e qartë se sa protestues u arrestuan mëngjesin e sotëm, kur agjencia ruse e lajmeve Interfax raportoi se vetëm një grup i vogël kishte mbetur pranë një stacioni të metrosë.
Sipas të njëjtit burim, të cituar nga Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë, 113 policë janë lënduar në ditët e fundit gjatë protestave në Tbilisi.
Dje katër organizata opozitare u kanë bërë thirrje protestuesve që të kërkojnë leje me pagesë nga puna për të marrë pjesë në protesta, siç e parashikon ligji i punës dhe kërkuan nga punëdhënësit që të lejojnë mungesën e punëtorëve.
Presidentja properëndimore e Gjeorgjisë, Salome Zourabivili, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të anulojë zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar, të cilat u fituan nga “Ëndrra Gjeorgjiane”. Si opozita ashtu edhe Zurabishvili pretendojnë se ka pasur mashtrim. (A2 Televizion)