Trump nuk e ndal dot Netanjahun, Izraeli vijon bombardimet në Liban, marrëveshja në rrezik

Nga Rosalba Bejdo
17 Qershor 2026, 18:05 | Bota

Kritikat e presidentit amerikan Donald Trump nuk e kanë ndalur Izraelin të ndërmarrë sulme të reja ajrore kundër Libanit jugor.

Të mërkurën avionët izraelitë goditën zonën e Nabatieh al-Fawqa dhe periferinë e lagjes fqinje të Kfar Tebnit, ku ushtria izraelite pretendon se ka shënjestruar militantë të Hezbollahut. Bombardime pati edhe gjatë së martës, ku 4 persona mbetën të vrarë në zonën jugore të Nabatieh. Sulmet rrezikojnë marrëveshjen e paqes mes SHBA dhe Iranit, ku sipas pretendimeve përfshihet si kusht, ndalimi i luftimeve në Liban.

Të martën presidenti amerikan Donald Trump kritikoi kryeministrin Netanjahu që, siç tha, duhet të tregohet më i përgjegjshëm lidhur me Libanin. Duke folur nga samiti i G7 në Francë ai tha gjithashtu se Izraeli e ka luftuar Hezbollahun për një kohë shumë të gjatë dhe se shumë njerëz janë vrarë.

“Jo, nuk jam i kënaqur me mënyrën si Izraeli është sjellë me Libanin dhe me Hezbollahun. Ata duhet ta kishin përfunduar punën më shpejt. Kjo po zgjat pafundësisht. Dhe kur ndodh kjo, i jep një dritë negative gjithë marrëveshjes së madhe.

Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer disa sulme që kur marrëveshja SHBA-Iran u njoftua mbrëmjen e së dielës.

Kryeministri izraelit Netanjahu e ka bërë të qartë se forcat e veta do të mbeten në Liban për sa kohë që të jetë e nevojshme. Ndërkohë ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, ka paralajmëruar se do të konsideronte çdo sulm izraelit ndaj Libanit, ose vazhdimësinë e pranisë ushtarake në territorin e këtij vendi, si shkelje të marrëveshjes së përkohshme me SHBA. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos