Goditje për Kremlinin, Ukraina rrëzon avionin rus, hera e dytë në disa javë

Nga Rosalba Bejdo
24 Shkurt 2024, 15:52 | Bota

Me mungesën e përparimit në fushën e betejës, Ukraina synon fitore përtej frontit.

Kievi njoftoi se kishte rrëzuar një avion spiun rus A-50, në të dytin pretendim të këtij lloji në më shumë se një muaj. Avioni ushtarak u godit mes qyteteve ruse të Rostov-on-Don dhe Krasnodar, siç bëjnë me dije burime ukrainase, rreth 200 km larg frontit.

Shërbimet e emergjencës raportuan se kishin zbuluar copëza të avionit në distriktin e Kanevskoy ku kishte pasur edhe shpërthim zjarri. Moska nuk ka komentuar lidhur me pretendimet.

Kreu i forcave ajrore ukrainase Mykola Oleshchuk falënderoi shërbimet e inteligjencës që kishin ndihmuar në rrëzimin e avionit, një mjet me radar me rreze të gjatë veprimi ditën e premte, duke përmendur se incidenti përkoi me një festë ushtarake të Rusisë.

Video të postuara online tregojnë momentin ku avioni duket se qëllohet në ajër, e po ashtu flakët dhe tymin qe pasuan pas rrëzimit të tij. Sakaq, një kanal rus me lidhje ushtarake në Telegram sugjeroi se avioni mund të jetë rrëzuar si pasojë e një zjarri miqësor.

Ukraina njoftoi se kishte goditur një avion tjetër A-50 edhe më 14 janar. Mjeti që zbulon mbrojtjet ajrore dhe ndihmon në koordinimin e objektivëve për avionët rusë, mund të kushtojë qindra miliona dollarë për tu ndërtuar.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos