Grindja politike për gjuetinë, Botsvana kërcënon Gjermaninë: Vijmë me 20 mijë elefantë

Nga Xhevahir Qardaku
3 Prill 2024, 13:36 | Bota

Grindja politike për gjuetinë, Botsvana kërcënon

Është një grindje e pazakontë politike. Bëhet fjalë për atë mes Gjermanisë dhe Botsvanës. Presidenti i shtetit afrikan ka kërcënuar të dërgojë 20 mijë elefantë në Gjermani. Motivi lidhet me një deklaratë të ministrit të Mjedisit të qeverisë Sholtz, ku kërkoi kufizime më të ashpra për importimin e trofeve të gjuetisë. Presidenti Mokgweetsi Masisi tha për mediat gjermane se kjo do ta varfëronte popullin e tij.

Lideri i Botsvanës shtoi se numri i elefantëve është rritur ndjeshëm si rezultat i asaj deklarate dhe gjuetinë e tyre e konsideroi një mënyrë për të ruajtur balancën në vend.

“Gjermanët duhet të jetojnë bashkë me kafshët ashtu siç na kërkoni që ne të bëjmë”, tha Masisi për median Bild.

Shteti afrikan është shtëpia e çerekut të elefantëve në botë, me mbi 130 mijë të tillë, më shumë nga se mund të përballojë. Tufat po shkaktojnë dëme në prona, duke ngrënë tokat e mbjella dhe shtypur banorët”, shton më tej presidenti. Botsvana ka dhuruar më herët 8 mijë elefantë Angolës fqinje, ka ofruar qindra të tjera Mozambikut, si përpjekje për të ulur numrin e përgjithshëm.

“Ne do ia bëjmë edhe Gjermanisë një ofertë të tillë”, tha Masisi duke nënvizuar se kjo nuk është një shaka dhe se nuk do të pranojë “jo” për përgjigje.

Botsvana ndaloi gjuetinë në 2014, por e tërhoqi kufizimin 5 vite më vonë, pas presionit të madh nga banorët. Ndërkohë, Gjermania është importuesi më i madh i Europës me trofe elefantësh nga Afrika. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos