Gruaja rrezikon të vdesë prej shtatzënisë, Gjykata nuk i lejon abortin. Mjekët: Rrezikojmë 99 vite burg po ndërhymë

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2023, 09:38 | Bota

Gruaja rrezikon të vdesë prej shtatzënisë, Gjykata nuk i

Kate Cox, nënë e dy fëmijëve dhe tashmë në javën e 20-të të shtatzënisë, po përjeton një odise të dhimbshme.

Fetusi në barkun e saj është prekur nga trisomia 18, e njohur edhe si sindroma Edwards (një çrregullim gjenetik që shkakton keqformime të ndryshme serioze fizike dhe njohëse tek fëmija i palindur, shpesh fatal para lindjes ose në vitin e parë të lindjes).

Gjinekologu e ka këshilluar që të mos e çojë shtatzëninë deri në fund, pasi rrezikon jetën e saj, por Kate jeton në Teksas, një shtet konservator që ka disa nga rregulloret më të ashpra kundër abortit në SHBA.

Gjykata e Lartë në Teksas rrëzoi vendimin që kishte garantuar të drejtën federale të grave amerikane për të ndërprerë shtatzënitë për gjysmë shekulli dhe në rastin e Kate, ajo duhet të vdesë, por jo të abortojë.

Kate tashmë ka qenë katër herë në urgjencë me dhimbje të tmerrshme por mjekët i kanë thënë se nuk mund të ndërhyjnë pasi duart i kanë “të lidhura” nga ligji.

Për këtë arsye asaj iu desh të niste një betejë të vështirë ligjore, e para e këtij lloji në SHBA pas kthesës së vitit 2022, e ndjekur tashmë nga një tjetër në Kentaki, gjithashtu një shtet konservator.

Ditët e fundit Cox fitoi raundin e parë, pasi gjyqtarja e qarkut Maya Guerra Gamble vendosi që gruaja ka të drejtë të abortojë bazuar në një nga përjashtimet e rralla mjekësore të parashikuara nga ligji.

Por të nesërmen, Prokurori i Përgjithshëm Ken Paxton, një republikan ekstremist, apeloi në Gjykatën e Lartë, e cila pezulloi vendimin e gjyqtares.

Paxton akuzoi Maya Guerra Gamble për abuzim me fuqitë e saj diskrecionale dhe e quajti atë një "militante". Në të njëjtën kohë ai dërgoi një letër paralajmëruese në spitale, duke kërcënuar se do të ndjekë penalisht këdo që ndihmon gruan të abortojë.

Ligji i Teksasit lejon ndërprerjen e shtatzënisë në rastet kur jeta e nënës mund të jetë në rrezik, por mjekët thonë se procedura ligjore është e paqartë dhe nëse ata ndërhyjnë te rasti i Kate rrezikojnë deri në 99 vite burg ose gjoba deri në 100,000 dollarë dhe heqje të licencës.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani