I moshuari i armatosur merr peng disa njerëz brenda zyrës postare

Nga A2 CNN
31 Tetor 2023, 12:09 | Bota

Një numër i panjohur njerëzish janë duke u mbajtur peng brenda një zyre postare në qytetin Warabi të Japonisë, nga një person i armatosur.

Oficerë të veshur me antiplumb të policisë kanë rrethuar zyrën postare pas raportimeve për të shtëna pranë një spitali aty pranë, ku dy persona u plagosën.

Një mjek në të 40-at dhe një pacient në të 60-at u plagosën lehtë nga të shtënat brenda spitalit.

"Përafërsisht në orën 14:15 të pasdites së sotme, një person mori pengje dhe u izolua në një zyrë postare në zonën Chuo të qytetit Warabi. Autori posedon atë çka duket të jetë një armë”, thuhet në një njoftim të policisë.

Pengmarrësi dyshohet se është një burrë rreth të tetëdhjetave. Ai u pa teksa mbante veshur një kapele bejsbolli dhe një këmishë të bardhë nën një pallto të errët, me atë që dukej si një armë e lidhur në një kordon rreth qafës së tij.

Mediat lokale raportojnë se janë marrë peng të paktën dy punonjëse të postës, të moshës 20 dhe 30 vjeç, ndërsa një gazetë japoneze raportoi se mund të kemi deri në 10 pengje.

Pengmarrësi po ashtu dyshohet se zotëron parafinë ose vajguri, të cilat mund të përdoren për të ndezur zjarr. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos