Me zgjedhjen e Donald Trump si President i ri i SHBA-ve, pritet që zhvillimet në konfliktin Rusi-Ukrainë të jenë të vrullshme, pasi gjatë fushatës manjati amerikan ka paralajmëruar vendosjen e paqes mes dy vendeve.
Në kuadër të këtyre zhvillimeve është edhe një postim jo fort miqësor i djalit të presidentit të sapozgjedhur, Donald Trump Jr, përkundrejt Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ai është shfaqur duke u tallur me Zelenskyn, duke thënë në postimin në Instagram se “ndihma” për presidentin ukrainas do të mbarojë kur babai i tij të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.
“POV: Je 38 ditë larg nga humbja e ndihmave”, shkruan Trump Jr në postimin që shfaq një foto të Zelenskyt.
Postimi vjen në një kohë kur po shtohen zërat se Trump ka sugjeruar mund të ndalojë dërgimin e ndihmave ushtarake në Ukrainë, ndërsa më herët gjatë fushatës e ka cilësuar presidentin ukrainas si “biznesmenin më të zgjuar”, teksa komentonte kërkesat e Kievit për më shumë fonde nga SHBA.
“Ne vazhdojmë t’i japim miliarda dollarë një njeriu që refuzon të bëjë një marrëveshje”, u shpreh Trump dy muaj më parë. (A2 Televizion)