Sondazh: Sa prezent është aktiviteti fizik në përditshmërinë tuaj?
  • Çdo ditë 45%
  • Tre herë në javë 18%
  • Vetëm në fundjavë 9%
  • Asnjëherë 27%

Konflikti Izrael-Hamas, lufta për “tokën e shenjtë” që dogji dhe rrafshoi Gazën

Nga Xhevahir Qardaku
2 Janar 2024, 15:00 | Bota

Konflikti Izrael-Hamas, lufta për “tokën e shenjtë”

Sirenat e alarmit ranë… një luftë e re e përgjakshme nisi… konflikti gjysmë i fjetur mes Izraelit dhe palestinezëve u rizgjua sërish. 

Në 7 tetor, militantët e Hamasit do të hapnin “portat e ferrit”.  Luftëtarët palestinezë nisën operacionin “Përmbytja Al Aksa”, një sulm të armatosur ndaj Izraelit nga Gaza, duke zënë në befasi sistemet e sofistikuara të mbrojtjes së shtetit hebre. Të paktën 2200 raketa u lëshuan në Izrael në vetëm 20 minuta. Shpërthime pati në qytete të shumta, nga Ashkelon, Tel Aviv e deri në Jeruzalem. Komandanti ushtarak i Hamasit, Mohammad Deif, njoftoi fillimin e operacionit në një transmetim në mediat e Hamasit, duke u bërë thirrje palestinezëve kudo që janë të luftojnë për tokën e tyre, siç tha ai: “Ne shpallim fillimin e operacionit “Përmbytja Al Aksa”. Gjithashtu, njoftojmë me ndihmën dhe forcën e Zotit se goditja e parë e operacionit ka shënjestruar vendet e armikut, aeroportet e tij dhe fortifikimet ushtarake gjatë 20 minutave të para, me më shumë se 5 mijë raketa të lëshuara”. 

Ndërsa raketat ranë mbi Izrael, të paktën 1 500 militantë nga Hamasi dhe grupi i xhihadit, depërtuan në shtetin hebre në dhjetëra pika duke përdorur eksplozivë dhe buldozerë për të thyer kufirin, i cili ishte fortifikuar me teknologji inteligjente, gardhe dhe beton. Ata çaktivizuan rrjetet e komunikimit për disa nga vendqëndrimet ushtarake izraelite aty pranë, duke i lejuar ata të sulmojnë ato instalime dhe të hyjnë në lagjet civile të pazbuluar. Militantët thyen njëkohësisht kufirin detar me motobarkë pranë qytetit bregdetar të Zikim. Të tjerë kaluan në Izrael me parashuta të motorizuara.

Rreth 1 200 njerëz u vranë në sulm, shumica familje izraelite të sulmuara në venbanime të ndërtuara në tokë palestineze. 260 persona u vranë barbarisht vetëm në një festival muzikor në shkretëtirën veriperëndimore të Negevit. Mes viktimave kishte dhe shtetas të huaj. Imazhet ishin tepër tronditëse, vrasje dhe rrëmbime, skena që nuk ishin parë asnjëherë më parë në konfliktin izraelito-palestinez. Më shumë se 240 persona u morën në Rripin e Gazës si pengje. Shumica ishin gra dhe fëmijë, por edhe ushtarë. 

Një video amatore e vendosur në Rripin e Gazës tregoi një grua këmbëzbathur me krahë të lidhur pas shpine duke u tërhequr zvarrë nga pjesa e pasme e një automjeti të zi nga njerëz të armatosur dhe më pas e futën atë në sediljen e pasme të automjetit. 

Izraeli zhvilloi një reagim të furishëm përmes operacionit “Shpatat e Hekurta”. Dëmi ishte i madh që nga dita e parë e bombardimeve izraelite të Gazës. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha më 7 tetor se vendi ishte “në luftë” dhe urdhëroi mobilizimin e mbi 300 mijë rezervistëve si dhe rrethimin e plotë të Gazës duke ndërprerë furnizimet me ujë, energji elektrike, ushqim dhe karburant: “Qytetarë të Izraelit, ne jemi në luftë, jo në një operacion apo në beteja, por në luftë. Këtë mëngjes, Hamasi filloi një sulm të papritur vrastar kundër shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij. Ne jemi marrë me këtë që në orët e hershme të mëngjesit. Unë mblodha krerët e institucionit të sigurisë dhe urdhërova, para së gjithash, që të pastrohen komunitetet që janë infiltruar nga terroristët. Kjo aktualisht po kryhet. Njëkohësisht kam urdhëruar një mobilizim të gjerë të rezervistëve dhe që të bëjmë një kundërpërgjigje të përmasave që armiku nuk e ka parë kurrë. Armiku do të paguajë një çmim të paprecedentë. Ndërkohë, u bëj thirrje qytetarëve të Izraelit që t'i përmbahen rreptësisht direktivave të ushtrisë dhe komandës së Frontit të Brendshëm. Ne jemi në luftë dhe ne do ta fitojmë atë”.

Disa liderë botërorë dënuan sulmin e Hamasit mes frikës se luftimet do të shndërroheshin në një konflikt të madh rajonal. Presidenti i SHBA, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë Izraelit: “Sot, populli i Izraelit është nën sulm, i orkestruar nga një organizatë terroriste, Hamasi. Në këtë moment tragjedie, dua t'u them atyre dhe botës dhe terroristëve kudo që Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Izraelin. Ne nuk do t’i lëmë ata kurrë vetëm”.

Izraeli vazhdoi gjatë gjithë të shtunës me sulme hakmarrëse, me intensitet ndonjëherë kundër Gazës, reagim i cili deri të hënën e 9 tetorit, kishte vrarë më shumë se 500 njerëz dhe kishte lënë mijëra të tjerë të plagosur. Kampi i refugjatëve palestinezë Al Shati, në qytetin e Gazës, u godit nga sulmet izraelite. Bombardime pati edhe në kampin Jabalia. Palestinezët shpëtuan njerëzit e ngecur nën rrënoja në strehat e refugjatëve, pas shkatërrimit që solli reagimi i furishëm i shtetit hebre.

Morgu i Gazës është i mbushur me trupa të vdekur, ndërsa Izraeli mbylli rripin e territorit palestinez, teksa ushtria vazhdonte të shënjestronte pa mëshirë enklavën. Pamjet me dron në qytetin e Gazës treguan dëme në shkallë të gjerë, pasi Izraeli e goditi atë me sulmet më të këqija ajrore në historinë 75-vjeçare të konfliktit me palestinezët.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se Teherani nuk ishte përfshirë në sulmin e fundjavës të grupit Hamas ndaj Izraelit, por ai përshëndeti atë që ai e quajti humbje të pariparueshme të Izraelit: “Përkrahësit e regjimit (të Izraelit) dhe disa njerëz brenda vetë regjimit të uzurpatorit, kanë bërë deklarata të rreme në ditët e kaluara dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë, duke përfshirë se Irani Islamik qëndron pas kësaj lëvizjeje. Ata e kanë gabim. Sigurisht, ne mbrojmë Palestinën, mbrojmë luftën, puthim duart e atyre të rinjve palestinezë inteligjentë dhe trima që planifikuan sulmin ndaj regjimit sionist. Ne jemi krenarë për ta”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, fillon diplomacinë fluturuese me një vizitë në Tel Aviv, duke i ofruar mbështetje të palëkundur kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu: “Ne jemi këtu, ne nuk do të shkojmë askund”.

Blinken më vonë u takua me Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas. Më tej, njoftoi se nuk mund të ketë më raporte me grupin militant palestinez Hamas gjatë vizitës së tij në Katar: “Nuk mund të ketë më raporte si zakonisht me Hamasin. Vrasja e foshnjave, djegia e familjeve, marrja e fëmijëve të vegjël si peng, këto janë akte brutaliteti të pandërgjegjshme”.

Një video e prodhuar nga Hamasi, që tregon militantët me fëmijë izraelitë të robëruar gjatë sulmit ndërkufitar të grupit të armatosur nga Rripi i Gazës, u publikua pas akuzave izraelite se palestinezët kishin vrarë fëmijë. Në video, mund të shihen militantë të veshur me kapuç duke fashuar këmbën e një fëmije izraelit, ndërsa të tjerët mbanin foshnja. Një mbishkrim thotë se është filmuar në Holit, një nga komunitetet kufitare izraelite ku personat e armatosur sulmuan, duke vrarë qindra njerëz. Nuk kishte asnjë të dhënë se cili ishte statusi i prindërve apo kujdestarëve të fëmijëve të robëruar. 

Një anëtar i brigadës Al Qassam tha: “Shikoni mëshirën në zemrat tona, ja ku janë fëmijët, ne nuk i vramë siç bëni ju”.

Në qytetin e Gazës, Izraeli nisi të lëshojë më 13 tetor disa fletushka duke u bërë thirrje mbi 1 milionë palestinezëve që të “Evakuohen menjëherë!” dhe të lëviznin nga Jugu. Në to shkruhej se qyteti ishte kthyer në një fushë betejë. Mijëra banorë të Gazës filluan eksodin. Palestinezët dhe të huajt u dynden drejt kufirit me Egjiptin, në jug të Gazës, në përpjekje për të lënë enklavën. Por, ata i frenoi kreu politik i Hamas.

Ismail Haniyeh, lider i Hamasit, tha: “Nuk do të ketë emigrim nga Gaza apo nga Bregu Perëndimor. Askush nga Gaza nuk do të kalojë në Egjipt”.

Ai më pas takoi ministrin e Jashtëm iranian në Katar, duke arritur një marrëveshje bashkëpunimi deri në përmbushjen e synimeve të Hamas. Pamjet nga kampi i refugjatëve Jabalia në Gazën veriore më 14 tetor treguan shkatërrimin e shkaktuar në ndërtesa dhe rrugë pas sulmeve izraelite në enklavë. 

Kryeministri Benjamin Netanyahu vizitoi këmbësorinë izraelite në Kfar Aza, një vendbanim i sulmuar nga Hamasi, ku i pyeti ushtarët: “A jeni gati për fazën tjetër?”

Tanket izraelite u stacionuan përgjatë kufirit me Libanin ndërsa trupat përgatiteshin për një sulm tokësor në Rripin e Gazës të kontrolluar nga Hamasi. Irani paralajmëroi me “pasoja të gjera” nëse bombardimet e Izraelit nuk do të ndaleshin. Artileria izraelite bombardoi Libanin pasi luftëtarët e Hezbollahut lëshuan raketa në kufirin verior izraelit.

17 tetori do të ishte dita më e errët e kësaj lufte. Një shpërthim në spitalin al-Ahli al-Arabi në qytetin e Gazës vrau rreth 500 palestinezë, në incidentin më vdekjeprurës që kur Izraeli filloi një fushatë të pandërprerë bombardimi në hakmarrje për sulmin ndërkufitar të Hamasit. Tel Avivi fajësoi një raketë të gabuar nga një grup militant palestinez. Militantët e Hamas fajësuan sulmet ajrore izraelite. 

Presidenti i SHBA, Joe Biden, fluturoi në Tel Aviv më 18 tetor, për të treguar solidaritet me Izraelin dhe për të diskutuar mbi luftën spirale të Gazës. Ishte ndalesa e parë në një udhëtim në Lindjen e Mesme që u përmbys nga goditja në spitalin e Gazës. 

Biden njoftoi se do ta furnizojë Izraelin me gjithçka që i nevojitet për të mbrojtur veten në luftën me Hamas, grup të cilin e fajësoi për sulmin në spitalin e Gazës: “Jam thellësisht i pikëlluar dhe i indinjuar nga shpërthimi në spitalin e Gazës dhe në bazë të asaj që kam parë duket sikur është bërë nga kampi tjetër, jo nga Izraeli”. 

Një kishë ortodokse greke në Rripin e Gazës, e cila strehonte qindra palestinezë të zhvendosur, u godit nga një sulm ajror izraelit, thanë Patriarkana Ortodokse e Jerusalemit dhe zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.

Hamasi liroi dy pengjet e para më 20 tetor, dy shtetase amerikane, nënë dhe bijë, të cilat biseduan me Presidentin Biden. 

20 kamionët e ndihmave më në fund u lejuan të kalonin përmes kufirit Rafah nga Egjipti në Gaza. Por, kjo do të ishte vetëm një pjesë e vogël e asaj që kërkohej në Gaza, ku Izraeli me “rrethimin total” kishte bërë që 2,3 milionë banorët e saj të mbeten pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant në atë që Kombet e Bashkuara thanë se është një katastrofë humanitare e rëndë.

Një samit i paqes në 21 tetor me liderë nga Lindja e Mesme dhe Europa u mbajt në Kajro për t'u përballur me luftën në Gaza, ndërsa rreziqet e një konflikti më të gjerë rajonal rriteshin. Në fund të samitit, liderët arabë dënuan bombardimet izraelite të Gazës pasi europianët thanë se civilët duhet të mbrohen, por me mungesën e Izraelit dhe zyrtarëve të lartë të SHBA-së, nuk kishte asnjë marrëveshje për frenimin e dhunës. 

Mahmoud Abas, President i Palestinës, u shpreh: “Ne nuk do të largohemi kurrë dhe do të qëndrojmë në tokën tonë”.

Bombardimet e pamëshirshme të Izraelit në Gaza vazhdonin, bashkë me to rritej tragjikisht edhe numri i civilëve palestinezë të vrarë. Sulmet preknin zona të banuara. Pamjet me dron treguan ndërtesa të rrafshuara, të djegura dhe shkatërrim total. Hamasi vazhdonte të lironte pengje për shkaqe humanitare dhe shëndetësore. Në të njëjtën kohë, militantët zhvilluan një takim me liderët e Hezbollahut dhe Xhihadit Islamik duke lidhur një aleancë deri në fitore. Nga ana tjetër, edhe Izraeli bëri një aleancë me partinë kryesore opozitare për një qeveri emergjence, apo kabinetin e luftës, vetëm pak përpara nisjes së ofensivës tokësore. 

Ushtria izraelite tha se forcat tokësore kishin operuar brenda Rripit verior të Gazës të enjten e 26 tetorit, duke sulmuar disa objektiva të Hamasit përpara se të tërhiqeshin. Radioja e ushtrisë së Izraelit e përshkroi operacionin si inkursionin më të madh tokësor të luftës aktuale. Imazhet satelitore tregojnë shkatërrimin masiv të Gazës, teksa numri i palestinezëve të vrarë i kishte tejkaluar 6500 në datën 26 tetor. Një ditë më vonë, nata e errët mbi Gaza do të zbardhej nga bombardimet e rënda izraelite, që shënoi dhe nisjen e ofensivës së rëndë tokësore. Mbi 150 bombardime të kryera vetëm në pak orë në enklavën palestineze, teksa qeveria e Tel Avivit njoftoi se kjo ishte faza e dytë e luftës: “Shumë nga forcat tona tokësore hynë në Gaza, në strehën e djallit. Kjo është faza e dytë e luftës dhe qëllimet tona janë të qarta: shkatërrimi i ushtrisë dhe aftësive qeverisëse të Hamas dhe kthimin e pengjeve në shtëpi”.

Palestinezët e konsideruan këtë një gjenocid. Mahmoud Abbas, President i Palestinës, tha: “Populli ynë në Rripin e Gazës po përballet me luftë, masakra dhe gjenocid të kryer nga forcat pushtuese Izraelite në sytë e mbarë botës”.

Paralajmërimet e Perëndimit, të Kombeve të Bashkuara dhe as kërcënimet e Iranit, botës arabe e Turqisë nuk ndalën Izraelin. Mes bombardimeve nga qielli, tanket dhe këmbësoria filluan të qëllonin pa dallim në shumë zona të veriut në Gaza. Faza e dytë e luftës rezultoi të jetë edhe më mizorja dhe vdekjeprurësja. 

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u mblodh në mënyrë urgjente më 31 tetor. Gjatë një debati të ashpër, Izraelit iu kërkua të ndalojë ndëshkimin kolektiv të palestinezëve në Gaza në luftën e nisur ndaj Hamas.

“Rreth 70% e personave të vrarë janë fëmijë dhe gra. Save the Children raportoi së fundmi se rreth 3200 fëmijë u vranë në Gaza në vetëm tri javë. Kjo e tejkalon numrin e fëmijëve të vrarë çdo vit në zonat e konfliktit në botë që nga viti 2019. Ky nuk mund të jetë dëm kolateral”, deklaroi Philippe Lazzarini, udhëheqësi i Agjencisë së OKB për refugjatët palestinezë.

Sulmet ajrore izraelite përfunduan dhe në kampin e refugjatëve Jabalia ku u vranë më shumë se 50 civilë palestinezë. Bilanci i personave të vrarë në Gaza kishte shkuar në rreth 9 mijë, teksa kriza humanitare kishte arritur në nivelet me të këqija. Nga Egjipti, më 1 nëntor kaloi vetëm një kamion me ndihma. 

Në të njëjtën kohë, Izraeli vazhdonte sulmet nga ajri, toka dhe deti. Me një intensitet më të ulët ishte reagimi i militantëve të Hamas, por raketat e tyre arrinin në qendra të banuara nga izraelitët e deri në Tel Aviv. 

Ismail Kaniyeh, lider i Hamas, thotë: “Ushtria izraelite, kjo bandë arrogante duhet të dijë se do të mbytet në rërën e Gazës dhe se kjo do t’u kushtojë shumë atyre, në të gjitha frontet, përfshirë edhe në jetët e pengjeve, të cilët janë të ekspozuar ndaj të njëjtit shkatërrim dhe vdekje që po bie ndaj popullit tone”.

Ushtria izraelite vazhdoi me operacionet në tokën brenda Gazës duke kontrolluar disa lagje. Më 2 nëntor, sulmet ajrore goditën sërish kampin e refugjatëve Jabalia, por edhe një shkollë të OKB-së, ku qëndronin një numër i madh i palestinezëve të zhvendosur. 

Eksodi ndërkohë vazhdonte… Shumë nga palestinezët e zhvendosur nuk kishin ujë të pijshëm dhe iu desh të konsumonin ujë të kripur deti për të mbijetuar. Në Izrael u kthye sërish Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, për t’i kërkuar kryeministrit Netanjahu një pauzë humanitare në Gaza, mes presionit ndërkombëtar dhe protestave të shumta në mbështetje të civilëve palestinezë. 

Blinken takoi më 5 nëntor dhe Presidentin palestinez, Mahmoud Abbas. Në të njëjtën kohë, palestinezët kërkonin për të mbijetuar në kampin e refugjatëve Maghazi në Gaza, që u shënjestrua nga një sulm izraelit. Kur bilanci i personave të vrarë shkoi më 10 mijë, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e konsideroi enklavën një varrezë të hapur: “Gaza po shndërrohet një varrezë për fëmijët. Qindra vajza dhe djem po vriten apo plagosen çdo ditë”.

Izraeli mbajti 1 minutë heshtje për viktimat e 7 tetorit, ndërsa nuk shfaqi asnjë shenjë pendese për masakrimin e civilëve në Gaza. Netanjahu tha: “Qyteti i Gazës është i rrethuar, po operojmë brenda tij. Po shtojmë presionin ndaj Hamasit çdo orë, çdo ditë. Kemi vrarë mijëra terroristë, poshtë dhe sipër tokës”.

Izraeli hyri në disa prej tuneleve nëntokësore në Gaza. Gjithashtu, lejoi që disa reporterë ndërkombëtarë të vëzhgonin brenda tokës palestineze, të shoqëruar me tanke dhe shumë ushtarë. Tel Avivi lëshoi një urdhër për civilët që largoheshin nga spitali Al Shifa, përpara se ushtria të lëshonte sulme ajrore. Përfundimi? Me dhjetra civilë të vrarë. Mijëra të tjerë nisën të zhvendoseshin për më në jug, teksa forcat izraelite përparonin në Gaza. 

Izraeli pretendoi se spitali Al Shifa funksiononte si një strehë për militantët dhe komandantët e Hamasit. Jonathan Conricus, zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha: “Shohim që në qëndrën e rezonancës ka armë të fshehura nga Hamas. Aty ka kallashnikovë, gëzhoja dhe municione. Këtu ka granata. Në këtë dollap në pjesën kryesore të klinikës, gjetëm një granatë, municione, jelek luftarakë, çizme dhe sigurisht uniforma. Dhe kompjuteri i cili tashmë ofron shumë prova inkriminuese”.

Përballë presionit ndërkombëtar, Amerika tentoi të ndërhynte për të frenuar masakrën e ushtrisë izraelite. Joe Biden u shpreh: “Unë mund t'ju them se nuk mendoj se do të përfundojë derisa të ketë një zgjidhje me dy shtete. Ia bëra të qartë izraelitëve se mendoj se është një gabim i madh për ta të mendojnë se do të pushtojnë Gazën dhe do ta mbajnë Gazën. Nuk mendoj se funksionon”.

Lufta vazhdonte edhe në kufirin mes Izraelit dhe Libanit, ku janë shkëmbyer sulme raketore mes Tel Avivit dhe Hezbollahut. 

Me shtimin e mizorive izraelite ndaj civilëve në Gaza, shtoheshin edhe manifestimet masive në mbarë botën duke nisur nga Tel Avivi, në Iran, Turqi, të gjitha vendet arabe dhe europiane e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kërkesa kryesore ishte që të vendosej një armëpushim i menjëhershëm.

Thirrja e “lumenjve” protestues do të dëgjohej vetëm më 21 nëntor, kur Izraeli dhe Hamasi njoftuan një pauzë katër ditore në luftime. Marrëveshja përfshinte shkëmbimin e 50 grave dhe fëmijëve të marrë peng nga Hamasi dhe lirimin e 150 grave dhe fëmijëve të burgosur nga Izraeli, por dhe që ndihma humanitare, mjekësore dhe energjitike të lejohej në Gaza. 

Më 26 nëntor, kryeministri izraelit do të futej vetë në Gaza. Më vonë, zëdhënësi i tij do të konfirmonte se fushata e masakrave do të vazhdonte menjëherë pas përfundimit të pauzës. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëronte se më shumë mund të vdesin në Gaza nga mungesa e kujdesti shëndetësor. Me përfundimin e afatit, Izraeli rifilloi luftën kundër Hamasit më 1 dhjetor, pasi akuzoi militantët palestinezë për lëshimin e raketave. 

Dhjetori do të ishte dhe muaji ku shteti hebre do të vazhdonte të humbiste edhe më shumë pikë në arenën ndërkombëtare. Me bilancin që shkoi mbi 18 mijë palestinezë të vrarë, Biden tha se Izraeli po humbet mbështetjen globale, ndërsa OBSH kërkoi që të kursehej infrastruktura e përkujdesjes mjekësore. 

Rusia dhe Kina kanë kritikuar shpeshherë nga larg atë që shteti hebre po bënte prej muajsh në anklavën palestineze. Presidenti iranian tha se vendet perëndimore mbështesin “gjenocidin” në Gaza, po ashtu edhe lideri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili lëshoi një kërcënim: “Izrael! Ju keni një bombë bërthamore dhe po na kërcënoni ne me atë armë. Ne e dimë këtë. Por, po të vjen vdekja. Pavarësisht nëse zotëroni një bombë atomike, apo çfarëdo arme qoftë ajo, ju do të zhdukeni”.

Teksa në tokën e Gazës zhvillohej dhe vazhdonte lufta mes Izraelit dhe Hamas, një tjetër betejë zhvillohej në Kombet e Bashkuara, organizatën që ka fuqinë të vendosë paqen në botë. Përpjekje të panumërta janë bërë për vulosur një armëpushim apo pauza të gjatë, por asnjë me sukses.

Qasja e kreut të OKB-së me kritika të ashpra për Izraelin për masakrat ndër civilë në Gaza dhe mbështetja e zgjidhjes me dy shtete, bënë që Tel Avivi t’i kthehej kundër. Në Këshillin e Sigurimit kanë qenë Shtetet e Bashkuara që kanë bllokuar propozimet për një armëpushim me detyrim. Kjo detyroi Guterres që në një lëvizje të dëshpëruar për të vendosur paqen në Lindjen e Mesme, të aktivizojë nenin 99 të Kartës së OKB-së, duke i kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së të veprojë për luftën në Gaza.

Gjithashtu, Asambleja e Përgjithshme votoi me shumicë të madhe për armëpushim të menjëhershëm humanitar gjatë seancës urgjente. Por, armët nuk janë ulur dhe paqja nuk duket askund në horizont. Madje, Izraeli po kundërshton hapur dhe zgjidhjen me dy shtete. Një shans për një të ardhme paqësore, për një shtet të pavarur palestinez përkrah një Izraeli të sigurt që amerikanët, britanikët dhe shumë vende të tjera thonë se duan, nuk do të shfaqet pa vullnet dhe vendosmëri të qëndrueshme diplomatike dhe politike. Formati i vjetër i Oslos, i negociatave mes palestinezëve dhe izraelitëve të ndërmjetësuar nga amerikanët, përfundoi në dështim.

Nëse ka një herë tjetër, një ide e përmendur nga diplomatë të lartë perëndimorë është që pavarësia palestineze të bëhet pjesë thelbësore e një pakete më të gjerë ndryshimi në Lindjen e Mesme. Izraelit do t'i ofrohej çmimi i njohjes reciproke me Arabinë Saudite, nëse do të bënin lëshimet e nevojshme për pavarësinë e Palestinës. Jordania dhe Egjipti do të ishin lojtarë vendimtarë, si vende që kanë bërë paqe të qëndrueshme me Izraelin. Gjithashtu, vendimtarë do të ishin Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, shtete jashtëzakonisht të pasura të Gjirit. Ashtu si sauditët, ata kanë nevojë për paqe në Lindjen e Mesme pasi shpenzojnë qindra miliarda duke u vendosur si lojtarë globalë.

Një plan ekziston tashmë. Njëzet vjet më parë, plani i paqes saudit i ofroi Izraelit njohje të plotë dhe paqe me shtetet arabe, në këmbim të një shteti palestinez të qëndrueshëm dhe sovran në Gaza dhe Bregun Perëndimor, me një kryeqytet në Jerusalemin Lindor. Është një ide ambicioze, që nuk do të ndodhte pa liderët e rinj izraelitë dhe palestinezë. Amerikanët mund të ndërmjetësojnë, megjithëse do të duhej të ishin të balancuar, diçka që nuk e kanë arritur kurrë më parë. Të dyja palët duhet të jenë të përgatitura për të bërë kompromise të dhimbshme mbi besimet e dashura, veçanërisht në lidhje me territorin. Stuhitë politike do të shpërthenin mbi liderët e përgatitur për të marrë rreziqe për paqen.

Kryeministri i Izraelit, Yitzhak Rabin, u vra nga një ekstremist hebre në vitin 1995, kur ai u përpoq të bënte paqe me palestinezët. Një ekstremist islamik vrau Presidentin e Egjiptit, Anëar Sadat, sepse ai bëri paqe me Izraelin.

Dhe lufta në Gaza do të duhej të përfundonte sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse përhapet, skenarët e makthit përfshijnë palestinezë të dëshpëruar që shkelin kufirin egjiptian ndërsa tanket izraelite shtohen dhe bashkë me to edhe shanset për një luftë të madhe rajonale. Kaq shumë duhet të bëhet siç duhet që paqja të ketë një shans. Kaq shumë ka shkuar tashmë keq saqë paqja mund të jetë thjesht e pamundur.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli