Koreja e Jugut: Kim Jong Un i ka dërguar Putinit mbi një milionë predha artilerie

Nga A2 CNN
1 Nëntor 2023, 17:39 | Bota

Koreja e Jugut: Kim Jong Un i ka dërguar Putinit mbi një milionë

Koreja e Veriut ka pajisur Rusinë me më shumë se një milionë predha artilerie për operacionet e saj ushtarake në Ukrainë, dhe në këmbim, Pyongyang ka marrë këshilla teknike mbi satelitët e tij.

Kjo është deklarata që ka bërë ditën e sotme një ligjvënës nga Koreja e Jugut, duke cituar shërbimet e inteligjencës së Seoul-it. 

Pyongyang dhe Moska, dy aleatë historikë, janë bërë subjekt i disa sanksioneve ndërkombëtare. Rusia për sulmin mbi Ukrainën dhe Koreja e Veriut për testimin e armëve nukleare.

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe presidenti rus Vladimir Putin u takuan në shtator në lindje të Rusisë ndërsa Uashingtoni deklaroi muajin e shkuar se Pyongyang kishte nisur që të furnizonte Moskën me armë.

Shërbimi Informativ Kombëtar i Koresë së Jugut u tha ligjvënësve gjatë një takimi me dyer të mbyllura sot se Koreja e Veriut ka bërë të paktën dhjetë transferta armësh në Rusi që nga gushti.

“NIS ka mësuar se më shumë se 1 milionë predha artilerie janë transportuar,” ka deklaruar Yoo Sang-bum për gazetarët pas mbledhjes.

“Sipas analizës, këto mund të përdoren për dy muaj luftë mes Rusisë dhe Ukrainës,” shtoi ai.

Dhe, në këmbim të kësaj, Pyongyang mesa duket ka marrë këshilla teknike nga Moska për të vijuar me planet e tij për të lëshuar në orbitë satelitë spiunë.

 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli 2024