Ukraina nuk dorëzohet. Pas kundërofensivës së pasuksesshme të vitit të kaluar, planifikon një tjetër kundërsulm që siç tha presidenti Volodimir Zelenski, do të nisë në maj ose gjatë verës. Në një deklaratë gjatë së dielës ai pohoi se riformatimi në radhët e ushtrisë si pjesë e të cilit u zëvendësuan komandantët e lartë, lidhej pikërisht me planin e ri të veprimit në fushëbetejë.
Ai refuzoi të jepte detaje mbi planin e ri, duke thënë se nuk kishte të drejtë ta bënte këtë.
“Rusia do të përgatisë ofensivë të re në fillim të verës ose në muajin maj nëse do të munden,. Ata do të përgatiten por edhe ne do të përgatitemi për kundërsulm. Ofensiva e tyre që nisi në 8 tetor nuk solli ndonjë rezultat mendoj. Ne nga ana tjetër do të përgatitemi për planin tonë, do t’i kundërvihemi veprimeve të tyre”, tha Zelensky.
Ai shtoi se shpreson që Kongresi Amerikan të miratojë paketën e re të ndihmave ushtarake dhe financiare për Kievin, duke theksuar se është e nevojshme qe vendimi të merret brenda një muaji.
Ushtria ukrainase përballet me mungesa të theksuara në personel dhe armatime, prandaj ndihmat amerikanë janë thelbësore për vijimësinë e luftës. Për herë të parë, Zelensky përmendi shifra të viktimave në radhët e ushtrisë, duke thënë se 31 mijë trupa kishin humbur jetën që prej nisjes së luftës.
“31 mijë trupa ukrainase janë vrarë në këtë luftë. Jo 300mijë , jo 150 mijë. Putini po gënjen. Megjithatë kjo është humbje e madhe për ne”.
Rusia sakaq vijon fushatën e agresionit në shtetin fqinj, dhe gjatë natës ndërmori 14 sulme me dronë dhe raketa në Kharkiv dhe Dnipropetrovks, shumë prej të cilave u rrezuan nga sistemet ajrore. Rusia lëshoi gjithashtu dy raketa S-300 dhe një të tillë ajër-tokë,KH-31P. (A2 Televizion)