Koreja e Veriut ka ratifikuar një traktat të madh të mbrojtjes me Rusinë, që përcakton se secila palë duhet të jetë e përgatitur për t'i ofruar ndihmë ushtarake tjetrës nëse është e nevojshme, sipas medias shtetërore KCNA.
Mediat e huaja bëjnë të ditur se Rusia kishte përfunduar tashmë ratifikimin e traktatit - i cili u nënshkrua për herë të parë nga krerët e të dy vendeve në qershor - javën e kaluar.
Kjo thuhet se është marrëveshja më e madhe e mbrojtjes midis Moskës dhe Phenianit që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Traktati parashikon që secila palë duhet "të sigurojë menjëherë ndihmë ushtarake dhe ndihma të tjera duke përdorur të gjitha mjetet e disponueshme" nëse pala tjetër sulmohet.
Kjo vjen pasi vlerësimet e inteligjencës së SHBA, Koresë së Jugut dhe Ukrainës, të cilat thonë se deri në 12,000 trupa luftarake të Koresë së Veriut po dërgohen në luftë në Ukrainë, sipas një pakti me Rusinë.
Një zyrtar i Kievit tha javën e kaluar se Ukraina kishte filluar të qëllonte mbi trupat e Koresë së Veriut në rajonin kufitar të Kurskut të Rusisë, për herë të parë që kur ato ishin vendosur në konflikt.
Një zyrtar amerikan i tha CNN të dielën se Rusia kishte grumbulluar një forcë të madhe prej dhjetëra mijëra trupash, duke përfshirë disa trupa të Koresë së Veriut, për të kryer një sulm ndaj pozicioneve ukrainase në Kursk në ditët në vijim, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)