Mesazh paqeje nga Verona, Papa bën bashkë palestinezin dhe izraelitin që humbën të afërmit në luftë

Nga A2 CNN
18 Maj 2024, 13:59 | Bota

Në takimin në Verona Arena për drejtësinë dhe paqen, Papa Françesku ka bërë bashkë një palestinez dhe një izraelit, të cilët kanë humbur familjarët e tyre në luftë.

Izraeliti Maoz Inon, prindërit e të cilit u vranë nga Hamasi më 7 tetor dhe palestinezi Aziz Sarah, djali i të cilit u vra nga ushtria izraelite, janë përqafuar përballë Atit të Shenjtë dhe janë tani miq dhe bashkëpunëtorë.

Ndërkohë salla në arenën e Veronës e mirëpriti gjestin me duartrokitje të mëdha dhe përshëndeti fjalimin e paqes të mbajtur prej dy viktimave të konfliktit nga pala izraelite dhe palestineze.

Mendoj se nuk ka nevojë të thuhet asgjë”, komentoi Papa.

Më tej, Ati i Shenjtë shtoi: “Paqja nuk do të jetë kurrë fryt i mosbesimit, i mureve, i armëve të drejtuara nga njëri-tjetri. Të gjithë do të korrin atë që kanë mbjellë. Le të mos mbjellim vdekje, shkatërrim, frikë. Le të mbjellim shpresë! Kjo është ajo që po bëni edhe ju, në këtë arenë të paqes. Mos u dekurajoni, mos u bëni spektatorë të të ashtuquajturës luftë e pashmangshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos