“Mesdita kundër Putinit”, mijëra rusë përmbushin “dëshirën e fundit” të Navalny-t

Nga Erjon Dervishi
17 Mars 2024, 15:27 | Bota

Mijëra njerëz dolën në qendrat e votimit në të gjithë Rusinë, për të marrë pjesë në atë që opozita  e quajti protestë politike paqësore, por simbolike kundër rizgjedhjes së Presidentit Vladimir Putin.

Lëvizja "Mesdita kundër Putinit", mblodhi rusët që kundërshtojnë liderin e Kremlinit. Ata  shkuan në qendrën e tyre lokale të votimit ose për të prishur fletën e votimit në shenjë proteste ose për të votuar për një nga tre kandidatët kundër Putinit.

Persona të tjerë ishin zotuar të shënonin në fletën e tyre të votimit emrin e liderit të ndjerë të opozitës ruse Alexei Navalny, icili vdiq muajin e kaluar në një burg në Arktik.

Aleatët e Navalny publikuan video në YouTube të njerëzve që rrinin në radhë në qendra të ndryshme votimi në të gjithë Rusinë në mesditë, ata thanë se ishin atje për të protestuar në mënyrë paqësore.

Mediat e pavarura ruse e kanë quajtur protestën kundër Putin, si “Testamentin politik të Navalnit”.

"Ka shumë pak shpresë, por nëse mund të bësh diçka si kjo duhet ta bësh. Nuk ka mbetur asgjë nga demokracia", tha një grua e re, e cila nuk dha emrin e saj dhe fytyra e së cilës u mbulua nga ekipi i Navalny në një qendër votimi.

Rusë të cilët jetojnë në emigracion kanë hedhur votën e tyre me shpresën se do të dëgjohen.

"Ne nuk jemi dëgjuar për të kaluarën, për 30 vjet askush nuk na dëgjoi. Ne u shpërngulëm. Ne emigruam. Dhe edhe këtu, larg Rusisë, ne ndjejmë pasojat që nuk na dëgjojnë. Dhe ky vit është kaq i rëndësishëm vetëm për të qenë aty për veten tonë. Edhe pse të gjithë jemi pak, ju e dini, fatalistë për sa i përket kuptimit të tij dhe se askush nuk i intereson vërtet,” shprehet një votuese.

Pavarësisht protestuesve - të cilët përfaqësojnë një pjesë të vogël të 114 milionë votuesve të Rusisë - Putin është i gatshëm të forcojë kontrollin e tij mbi pushtetin në zgjedhjet që me siguri do t'i japin atij një fitore të madhe.

 

A2 CNN Livestream

Dita jonë