“NATO është në gjendje krize”, Rutte i jep të drejtë Trump për Arktikun: Të bëhemi bashkë

Nga Xhevahir Qardaku
23 Janar 2025, 14:55 | Bota

Kreu i NATO-s i jep të drejtë presidentit amerikan për shqetësimet lidhur me betejën për Arktikun. Sekretari i përgjithshëm Mark Rutte, duke folur për Reuters në Davos, thotë me bindje të plotë se Donald Trump nuk do ta pushtojë Groenlandën.

“Ajo që ai tha është se ne duhet të sigurohemi që Arktiku është me një interes të madh gjeopolitik dhe ne duhet të marrim veprimet tona së bashku. Dhe është e qartë se ai mban këtë qëndrim”, tha Rutte.

Kreu i NATO-s përsërit thirrjen për të gjitha vendet e rajonit të arktikut, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, që të kenë një strategji të përbashkët për të shtyrë pas rusët dhe kinezët. Rutte flet edhe për propozimin e Trump për negociata paqe mes Moskës dhe Kievit.

“Nuk ka alternativë tjetër pasi nëse Ukraina humbet, do të na duhet urgjent prezenca Amerikane këtu për të në ndihmuar ne si kolektiv për të garantuar që Ukraina të marrë një pozitë fuqie për ta detyruar Putinit të vijë në tryezën e negociatave, ashtu siç tha presidenti Trump kur njoftoi një paketë sanksionesh të re për çështjen e Ukrainës. Jam shumë i kënaqur që ai e bëri këtë dhe shpresoj që europianët do ta mbështesin.”

Ai kërkoi që 32 vendet anëtare të NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen, ashtu siç kërkon edhe Trump.

“Jemi realisht në një gjendje krize këtu. Së pari, duhen shpenzuar më shumë para, dhe shpejt madje. Jo të gjithë e përmbushin detyrimin e 2 përqindëshit dhe duhet të arrijnë aty brenda pak muajve. Nuk mund të presim më gjatë. Së dyti, në industrinë e prodhimit, ne jemi duke ecur shumë keq.”

Kreu i NATO-s nënvizoi mes tjerash se nëse lufta Rusi-Ukrainë përmbyllet me një marrëveshje të keqe, do të nxisë liderët e Koresë së Veriut, Iranit dhe Kinës që të veprojnë njësoj dhe për Perëndimin do të ishte një gabim I rëndë gjeopolitik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos