Vetëm pak minuta pasi u pretendua arritja e një marrëveshjeje mes Izraelit dhe Libanit, Hezbollahu i mbështetur nga Irani e ka hedhur poshtë atë.
Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se Libani dhe Izraeli kishin rënë dakord të zbatonin një armëpushim, të kushtëzuar nga ndërprerja e sulmeve të Hezbollahut dhe evakuimi i luftëtarëve të tij nga zonat e Libanit jugor pranë kufirit.
Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, i cili drejton grupin libanez shiit mysliman, nuk është palë në bisedime. Ai tha se negociatat ishin të paturpshme, duke hedhur poshtë deklaratën e Uashingtonit si “një udhërrëfyes për shfarosjen e një pjese të popullit libanez dhe skllavërimin e pjesës tjetër”.
“Për sa kohë që ekziston pushtimi, rezistenca do të vazhdojë”, tha ai në një deklaratë me shkrim. Qassem tha se një armëpushim duhet të përfshijë Libanin jugor, ku Izraeli ka pushtuar një zonë të vetëshpallur sigurie, e cila, sipas tij, synon të mbrojë Izraelin verior nga sulmet e Hezbollahut. Ai shtoi se qytetet në Izraelin verior nuk do të jenë të sigurta “për sa kohë që fshatrat tona janë të pasigurta, të bombarduara, të shkatërruara dhe njerëzit tanë po vriten”.
Armiqësitë midis Hezbollahut dhe Izraelit u rigjallëruan më 2 mars, kur grupi militant filloi sulmet në mbështetje të Teheranit, ndërsa u vu nën sulm nga aleanca SHBA–Izrael.
Lufta është bërë një pikë ngërçi në diplomacinë drejt zgjidhjes së konfliktit rajonal. Teherani ka kërkuar ndërprerjen e sulmeve izraelite në Liban si pjesë e çdo marrëveshjeje.
Komandanti i Forcës Quds të Gardës Revolucionare të Iranit – e cila themeloi Hezbollahun në vitin 1982 – tha se “kërkesa minimale e rezistencës” është tërheqja e Izraelit në pozicionet që mbante para se të fillonte lufta dhe që forcat izraelite të pushtonin jugun.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, të enjten tha se Izraeli “për momentin do të vazhdojë sulmet dhe operacionet e tij në terren”. Ushtria izraelite, në një paralajmërim për banorët e jugut, tha se po vazhdonte të synonte objektet e Hezbollahut.
Katz tha se Izraeli do të vazhdonte të “çmontonte infrastrukturën terroriste në zonë” dhe kishte “liri veprimi, të mbështetur nga SHBA-të, për të sulmuar në Bejrut në përgjigje të sulmeve ndaj komuniteteve dhe territorit izraelit”.
Burime sigurie thanë për Reuters se Izraeli kreu sulme të shumta ajrore në Libanin jugor. Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi pesë persona të vrarë në sulmet ajrore në qytetin Sohmor. Një dron fluturoi mbi Bejrut.
Presidenti libanez Joseph Aoun tha se korniza e armëpushimit e Uashingtonit ishte “një mundësi e fundit për të siguruar një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të përhershëm”. Duke folur para deklaratës së Qassem, Aoun tha se armëpushimi mund të hynte në fuqi brenda një dite nëse të gjitha palët e miratonin, në një referencë të dukshme ndaj Hezbollahut.
Deklarata e lëshuar nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së tha se armëpushimi Izrael–Liban varet nga ndërprerja e plotë e zjarrit nga Hezbollahu dhe evakuimi i të gjithë operativëve të tij nga zona midis kufirit dhe lumit Litani. (A2 Televizion)