Nis ‘epoka’ e Andy Burnham, Britania e Madhe ka një kryeministër të ri, gati plani 10-vjeçar

Nga Xhevahir Qardaku
20 Korrik 2026, 18:23 | Bota

Kryeministri ra, rroftë kryeministri i ri! Britania e Madhe ka një shef të ri në Doëning Street, Andy Burnham, që mori bekimin dhe mandatin nga Mbreti Çarls i Tretë për të drejtuar vendin, pasi Keir Starmer humbi besimin e laburistëve. Në fjalët e para, premtoi që t’i jepte fund periudhës së destabilitetit politik për të rifituar besimin e qytetarëve dhe botës, teksa pranoi se ishte kryeministri i 7 që Britania e Madhe ka pasur në dekadën e fundit.

“Dua të jem i sinqertë me ju. Nuk kemi qenë mjaftueshëm të mirë dhe duhet të bëhemi më të mirë. Dhe kështu do të ndodhë. Këtë moment do ta kthejmë në një pikë kthese për Britaninë, duke ndërmarrë ndryshimet më të mëdha të katër dekadave të fundit. Një model i ri politik dhe një model i ri ekonomik”, tha Andy Burnham, kryeministër i ri i Britanisë së Madhe.

Burnham foli më tej për një model që do ta reformojë Britaninë e Madhe në themel, duke synuar rikthimin e fabrikave të prodhimit dhe kthyer kontrollin e shtetit mbi industritë jetike, për ta bërë jetesën më të përballueshme për të gjithë.

“Më vonë gjatë këtij viti, do të sjell një plan të ri 10-vjeçar për Britaninë, duke përcaktuar një rrugë për të shkuar nga ku jemi tani deri aty ku besoj se të gjithë duam që Britania të shkojë, pavarësisht se cilën parti mbështesim. Por unë mund të bëj diçka për t'u dhënë njerëzve pak hapësirë për të marrë frymë tani, pak ndihmë me koston e jetesës. Dhe do të përcaktoj disa nga këto masa duke filluar nga nesër, duke përfshirë mënyrën se si i paguajmë ato”, theksoi ai.

Burnham u zotua t'i japë fund problemit me strehimin dhe të ndërtojë më shumë vende banimi, veçanërisht për të pastrehët. Kryeministri i ri tha gjithashtu se do të rishpërndajë pushtetin nga Westminster, për në pjesë të tjera të vendit.

Pasi mori detyrën zyrtarisht, do të bëjë kabinetin e tij dhe do të duhet të trajtojë një listë të gjatë problemesh që variojnë nga rritja e dobët ekonomike te kriza e kostos së jetesës dhe firmat e shërbimeve me performancë të dobët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos