“Njerëzit janë të frustruar”, ministri ukrainas: I bëjmë ballë ushtrisë ruse edhe 6 muaj

Nga Erjon Dervishi
11 Dhjetor 2024, 15:11 | Bota

Ukraina ka burime financiare dhe armatime për t’i rezistuar Rusisë edhe për gjashtë muaj. Këtë fakt e ka bërë të ditur Ministri i Financave të Ukrainës Sergei Marchenko. Reagimi i zyrtarit të lartë të Ukrainës vjen pas kërcënimit të Donald Trump për tërheqje nga ndihma për Ukrainën nëse kjo e fundit nuk ulet në bisedime me Rusinë, shkruan A2 CNN.

“Na duhet kohë. Koha për t'i rezistuar agresionit rus ndërkohë që kemi këto biseda me kolegët tanë amerikanë. Besoj se kemi fonde të mjaftueshme, armë, raketa dhe predha artilerie të mjaftueshme për të rezistuar të paktën për gjysmën e parë të vitit 2025. Ne do të sigurojmë buxhet të mjaftueshëm për blerjen e municioneve dhe pajisjeve të nevojshme ushtarake në vitin 2025. Tani po marrim armët e nevojshme nga Shtetet e Bashkuara. Kjo do të thotë se, të paktën për gjysmën e parë të vitit dhe më tej, ne do të jemi të pajisur mirë për t'i rezistuar këtij sulmi”, tha ai.

Ministri i Financave vuri në dukje se Kievi duhet të krijojë një plan për të krijuar kushtet e nevojshme për bashkëpunim me administratën e presidentit të sapozgjedhur të SHBA, Donald Trump. Më tej ai shtoi se pas afro tre viteve luftë me Rusinë, ukrainasit janë të lodhur të frustruar dhe të dëshpëruar.

“Kanë kaluar pothuajse tre vjet që nga agresioni në shkallë të gjerë të Rusisë kundër Ukrainës. Nuk është e lehtë. Çdo ditë ukrainasit presin një tjetër sulm me dron ose raketë. Në nëntor pati pothuajse 3000 sulme me dronë kundër Ukrainës. Është niveli më i lartë i regjistruar dhe është normale të ndihesh i lodhur, i frustruar, i dëshpëruar: njerëzit nuk janë robotë. Por edhe pse jemi të lodhur, kjo nuk do të thotë se jemi gati të dorëzohemi. Jo, ne nuk jemi gati të pranojmë asnjë paqe të padrejtë për Ukrainën”, tha Marchenko.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se SHBA dhe aleatët e saj do të ishin të gatshëm të pajisin dhe trajnojnë ushtarë të rinj ukrainas nëse autoritetet e vendit zgjerojnë mobilizimin dhe rekrutojnë më shumë njerëz. I pyetur nga një gazetar nëse Uashingtoni “e ka ftuar” Kievin për të zgjeruar mobilizimin, zëdhënësi pranoi se autoritetet e të dy vendeve zhvilluan bisedime “për situatën e sigurisë me të cilën po përballet Ukraina në lindje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos