Izraeli refuzon idenë e zgjidhjes së dy shteteve, në konfliktin me Palestinën. Ishte ambasadorja e Tel Avivit në Mbretërinë e Bashkuara e cila kundërshtoi ashpër mundësinë që palestinezët të kenë një shtet të vetin.
Komentet përforcojnë më tej mesazhet që kanë ardhur nga kryeministri Benjamin Netanjahu.
Ambasadorja në Britaninë e Madhe përjashtoi gjithashtu mundësinë e një armëpushimi me Hamasin, pasi siç tha kjo do të nënkuptonte përsëritje të 7 tetorit. Më herët, edhe kryeministri Benjamin Netanjahu u zotua se do të vazhdojnë luftën në Rripin e Gazës deri në fund, pavarësisht trysnisë ndërkombëtare për armëpushim.
Një ditë pasi aleati i tij i ngushtë, Biden, paralajmëroi se bombardimet pa dallim po e zbehin mbështetjen për luftën, Netanjahu dha garanci se përkrahja e SHBA-së është e palëkundur.
“Pas bisedimeve intensive me presidentin amerikan, Joe Biden, dhe ekipin e tij kemi marrë mbështetjen e plotë për operacionin tokësor”, tha kryeministri.
Izraeli raportoi të mërkurën ditën më vdekjeprurëse për forcat e mbrojtjes që prej nisjes së luftës, me 10 ushtarë të vrarë mes të cilëve edhe një kolonel. Por me gjithë humbjen në radhët e ushtrisë dhe thirrjes së OKB-së për armëpushim, sipas një sondazhi shumica e izraelitëve nuk duan që ofensiva në Rripin e Gazës të ndalet.
Forcat e mbrojtjes vijojnë me fuqi të plotë bombardimet dhe operacionin tokësor në Gaza, ku mëngjesin e së enjtes u shënuan të paktën 19 viktima. (A2 Televizion)