“Nuk ka ski për hebrenjtë”, plas skandali në Davos

Nga A2 CNN
13 Shkurt 2024, 19:09 | Bota

“Nuk ka ski për hebrenjtë”, plas skandali në Davos

Policia zvicerane ka nisur hetimet në lidhje me një njoftim të varur në një dyqan që jepte ski me qira, se nuk do shërbente më pajisje për klientë hebrenj.

Pankarta e shfaqur në një resort në Davos bëri xhiron e botës në pak minuta, dhe tashmë pronarët duket se janë bërë pishman për këtë gjë dhe e kanë hequr.

Shumë njerëz kanë argumentuar se rasti është një shkelje e qartë e ligjeve të Zvicrës kundër diskriminimit dhe nxitjes së urrejtjes racore ose fetare.

Federata Zvicerane e Komuniteteve Hebraike ka nisur veprimet ligjore, duke i cilësuar këto mesazhe si qartësisht diskriminuese.

Posterat në vitrinën e dyqanit sportiv informonin klientët se, për shkak të incidenteve, përfshirë vjedhjet, "nuk do u jepte më me qira pajisje sportive vëllezërve hebrenj".

Dyqani në fjalë, pjesë e restorantit malor Pischa, tha në një deklaratë fillestare se pajisjet shpesh nuk po ktheheshin dhe stafi i saj nuk donte më telashe për të kontrolluar nëpër mal duke u përpjekur të gjente skitë e braktisura.

Por vetëm 24 orë pas vendosjes së posterave, ato u hoqën pas një stuhie protestash. Kryetari i bashkisë së Davosit, Philipp Wilhelm, tha për mediat zvicerane: "Çdo formë e antisemitizmit, racizmit dhe diskriminimit duhet të dënohet. Kjo nuk i përket Davosit."

Menaxheri i dyqanit ka kërkuar falje, duke pranuar se posteri ishte "formuluar keq". “Klientët hebrenj janë të mirëpritur”, tha ai.

A2 CNN Livestream

Dita jonë