Sulmohet anija britanike, në flakë pas goditjes nga raketat e rebelëve Houthi

Nga Rosalba Bejdo
27 Janar 2024, 15:58 | Bota

Mbeten të larta tensionet në Lindjen e Mesme. Një anije cisternë e lidhur me Britaninë e Madhe, u përfshi nga flakët për disa orë në Gjirin e Aden, pasi u godit nga një raketë e lëshuar nga rebelët Houthi në Jemen.

Lëvizja e mbështetur nga Irani bëri të ditur se kishte shënjestruar mjetin lundrues “Marlin Luanda” të premten, në kundërpërgjigje të atij që e quajti agresion amerikano-britanik.

Në një hakmarrje kundër shtypjes së popullit palestinez dhe kundër agresionit amerikano-britanik ndaj vendit tonë, forcat e marinës së Jemenit ndërmorën një operacion që shënjestroi anijen cisternë të Britanisë së Madhe, "Marlin Luanda'", tha zëdhënësi ushtarak i rebelëve Houthi, Yahya Sarea.

SHBA dhe Britania e Madhe kanë ndërmarrë sulme ajrore ndaj pozicioneve të rebelëve Houthi në kundërpërgjigje të sulmeve kundër anijeve ndërkombëtare në Detin e Kuq.

Anije franceze, indiane dhe amerikane i ofruan ndihmë mjetit të goditur rishtazi. “Marlin Luanda” e lidhur me një shoqëri britanike, lundron nën flamurin e ishujve Marshall dhe operon në emër të një kompanie shumëkombëshe.

Siç u bë e ditur, i gjithë stafi i saj ka shpëtuar pa lëndime dhe zjarri është shuar. Britania e Madhe tha në një deklaratë se sulmet ndaj anijeve tregtare janë totalisht të papranueshme dhe se ajo dhe aleatët kanë të drejtën të kundërpërgjigjen.

Rebelët Houthi po veprojnë në mbështetje të palestinezëve në Gaza, ku Izraeli po lufton Hamasin.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni