Është arrestuar në Francë autori i Yjeve të Davidit në muret e Parisit. Ai është 48-vjeçari moldav, Anatoli Prizenko, i cili u justifikua duke thënë se ishte një nismë që synonte të mbështeste hebrenjtë e Francës dhe Evropës. Shfaqja e Yjeve të Davidit në muret e shtëpive dhe dyqaneve në rajonin e Parisit dhe në qytete të tjera anembanë vendit ka çuar në një rritje të niveleve të alarmit kundër kërcënimit të antisemitizmit.
Prizenko shpjegoi se iniciativa u krye së bashku me një organizatë të komunitetit hebre evropian, Mburoja e Davidit.
"Kam biseduar me një person. Ai më tha: A mund të gjeni dy njerëz aktivë për ta bërë këtë? Unë i thashë: Po, në rregull, do të gjej disa që nuk kanë frikë ta bëjnë këtë. Ky person më tha se ishte një veprim ligjor", u tha 48-vjeçari hetuesve.
Ylli i Davidit është një simbol me gjashtë cepa që përfaqëson qytetërimin dhe fenë hebraike. Njihet gjithashtu si mburoja e Davidit ose vula e Solomonit. Ai ka qenë i pranishëm në flamurin e Izraelit, së bashku me bandat blu të Talled, që nga viti 1946, kur flamuri sionist u bë flamuri zyrtar i shtetit të Izraelit. Megjithatë, ky simbol është përdorur shpesh si një armë urrejtjeje dhe diskriminimi kundër hebrenjve.
Në kryeqytetin francez tensioni është shumë i lartë për shkak të sulmeve të mundshme terroriste. Ditët e fundit, policia vrau një grua që bërtiste "Allahu Akbar" (Zoti është më i madhi) në stacionin e metrosë François Mitterand, e cila ishte plotësisht e mbuluar, kishte kërcënuar me vdekje.
Gjithashtu, në Lion të Francës, një grua hebreje u godit me thikë në shtëpi. Sulmuesi, para se të arratisej, ka gdhendur me thikë një svastikë në derën e shtëpisë. Viktima u dërgua në spital me dy plagë në bark.
Ka pasur disa incidente të antisemitizmit në të cilat Ylli i Davidit është barazuar me një svastikë. Në Romë, Ylli i Davidit, shenja e barazimit dhe svastika naziste janë shfaqur në muret e getos hebreje dhe në disa zona të Trasteveres.
Jo vetëm në Romë, në pjesë të ndryshme të Europës ka pasur incidente antisemitizmi. Kokteje molotov të hedhura në një sinagogë në Gjermani, një varrezë hebreje është përdhosur në Austri, dyqane dhe sinagoga hebreje të sulmuara në Spanjë.
"Rritja e incidenteve të antisemitizmit në të gjithë Evropën ka arritur nivele të jashtëzakonshme, ditët e fundit, duke kujtuar disa nga periudhat më të errëta të historisë. Hebrenjtë europianë sot ende jetojnë në frikë", shkroi Komisioni Europian në një deklaratë.
"Në këto kohë të vështira BE-ja qëndron në krah të komuniteteve të saj hebreje. Ne i dënojmë këto akte të neveritshme në termat më të ashpër të mundshëm. Ato shkojnë kundër gjithçkaje që Evropa përfaqëson", nënvizoi Brukseli.
(A2 Televizion)