Bota arabe e zemëruar me SHBA-në, Irani: Zgjerimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, i pashmangshëm

Nga Rosalba Bejdo
10 Nëntor 2023, 10:23 | Bota

Shkalla e vuajtjeve civile të shkaktuara nga lufta e Izraelit ndaj Hamasit do të çojë pashmangshmërisht në zgjerim të konfliktit. Paralajmërimi vjen nga Irani, mbështetës dhe financues i grupit militant të Hamasit. Komentet e ministrit të Jashtëm në Teheran ngrenë shqetësimet nëse përpjekjet diplomatike dhe dërgimi i forcave detare të Shteteve të Bashkuara në Mesdheun Lindor do të jenë në gjendje të mbajnë nën frena konfliktin që rrezikon të destabilizojë Lindjen e Mesme.

“Për shkak të zgjerimit të intensitetit të luftës kundër banorëve në Gaza, zgjerimi i konfliktit është bërë i pashmangshëm”, deklaroi Hossein Amir-Abdollahian Ministër i Jashtëm i Iranit.

Televizioni shtetëror iranian, Press Tv, përcolli deklaratën që ministri i Jashtëm i kishte bërë homologut të tij në Katar, sheikut Mohammed Bin Abdulrahman Al Thani.

Më herët, edhe numri dy në drejtimin e Hezbollahut në Liban, milicia e fuqishme e mbështetur po ashtu nga Irani, paralajmëroi se vrasja e civilëve në Gaza rrezikonte të nxiste një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme. Sheik Naim Qassem parashikoi zhvillime shumë të rrezikshme në rajon, të cilat askush nuk mund t’i ndalojë.

Komentet vijnë teksa Shtetet e Bashkuara njoftuan intensifikim të sulmeve kundër bazave amerikane në Siri dhe Irak, e ndërsa administrata Biden ka marrë paralajmërime nga diplomatë amerikanë, se lufta e Izraelit në Gaza ka rritur ndjeshëm zemërimin e botës arabe ndaj Uashingtonit.

 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Edicioni informativ nga Suela Demiri