
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të enjten se kishte goditur objekte ushtarake dhe industriale në kryeqytetin ukrainas, Kiev, si dhe infrastrukturën e porteve në Odesa e Pivdennyi dhe një mjet lundrues.
Si Moska ashtu edhe Kievi kanë shtuar sulmet ndaj objektivave kyçë ekonomikë; forcat ukrainase kanë goditur infrastrukturën energjetike ruse, përfshirë cisternat e naftës, ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj porteve të Detit të Zi gjatë javëve të fundit.
Zyrtarët ukrainas thanë se raketat balistike ruse goditën të paktën dy zona në Kiev në orët e para të së enjtes, duke shkaktuar zjarre dhe vdekjen e dy personave.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se kishte goditur objekte ushtarake dhe industriale ukrainase në Kiev, të cilat përdoreshin për prodhimin dhe ruajtjen e dronëve me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi.
Ajo njoftoi gjithashtu se kishte vënë në shënjestër infrastrukturën e porteve të Odesës dhe Pivdennyi-t, të cilat përdoren për pritjen, ruajtjen dhe trajtimin e ngarkesave ushtarake dhe furnizimeve me karburant.
Një mjet lundrues dhe një varkë e shpejtë që u përkisnin forcave të armatosura ukrainase u goditën gjithashtu ndërsa po lëviznin drejt porteve në rajonin e Odesës, bëri të ditur Ministria ruse e Mbrojtjes.
Po ashtu një sulm rus vrau dy persona dhe plagosi të paktën nëntë të tjerë në qytetin juglindor ukrainas të Zaporizhzhia-s tha guvernatori rajonal Ivan Fedorov. Pamjet e agjencisë Reuters tregonin një grua duke qarë mbi trupin e bashkëshortit të saj, i cili mbeti i vrarë në sulm.
Alina, 30 vjeçe, e cila jeton pranë ndërtesës së shkatërruar, tha se sulmi kishte për qëllim të terrorizonte civilët, pasi forcat ruse nuk po arrinin të përparonin drejt qytetit.
"Rusët duan të hyjnë në Zaporizhzhia, por nuk po i lënë të hyjnë dhe nuk ia dalin dot ta bëjnë këtë. Prandaj po e terrorizojnë popullsinë. Po vrasin. Kjo është e gjitha", thotw Alina, rezidente në Zaporizhia.
Një ndërtesë banimi u shkatërrua, ndërsa makina të dëmtuara gjendeshin të shpërndara në oborr. (A2 Televizion)