Putin ngre bombarduesin në qiell! SHBA ngre alarmin për afrimin ushtarak Moskë-Teheran

Nga Erjon Dervishi
22 Shkurt 2024, 22:39 | Bota

Presidenti rus Vladimir Putin ka testuar bombarduesin strategjik Tu-160, i cili është i aftë të mbajë edhe koka bërthamore.

Kjo lëvizje e Moskës vjen si reagim ndaj vendimit të Perëndimit për të dërguar avionët e luftës, F-16 në Ukrainë.

Avioni gjigant me krahë lëkundëse, i koduar si "Blackjacks", është një version i modernizuar i një bombarduesi të kohës së Luftës së Ftohtë që ish-Bashkimi Sovjetik e mbante si plan rezervë në rast lufte bërthamore për të shpërndarë armë në distanca të gjata.

"Është me të vërtetë një makinë e re, në shumë mënyra. Është më e lehtë për t'u kontrolluar, mund ta shohësh edhe me sy të lirë dhe amator. Është shumë e besueshme. Unë do të përsëris atë që i kam thënëtashmë drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes: ai me siguri mund të hyjë në shërbim në Forcat e Armatosura,” deklaroi lideri i Kremilinit.

Putini, i cili pritet të fitojë lehtësisht një mandat tjetër gjashtëvjeçar muajin e ardhshëm, e bëri testimin në një kohë kur Moska dhe Perëndimi janë në mosmarrëveshje për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe shqetësimin mbi rritjen e bashkëpunimit midis Moskës dhe Teheranit, e theksuar kjo edhe nga zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara. 

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se rritja e bashkëpunimit ushtarak mes Iranit dhe Rusisë në fushën e armatimeve dhe raketave, “është diçka që duhet ta shqetësojë mbarë botën”.

“Për një kohë të gjatë ne kemi paralajmëruar se Rusia po negocionte me Iranin për blerjen e raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi dhe këto negociata po përparonin në mënyrë aktive”, tha zëdhënësi i DASH-it.

Reuters raportoi më 21 shkurt se Irani ka furnizuar Rusinë me qindra raketa përmes katër dërgesave që nga janari, dhe një zyrtar anonim ushtarak iranian citohet të ketë thënë se “do të ketë edhe më shumë dërgesa në javët në vijim”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos