Rikthehen sulmet në Jerusalem, palët zgjasin më tej armëpushimin

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2023, 08:08 | Bota

Rikthehen sulmet në Jerusalem, palët zgjasin më tej

Shefi i diplomacisë amerikane ka mbërritur në Izrael në udhëtimin e tij të tretë në rajon që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas, më 7 tetor.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ndodhet në Tel Aviv për të diskutuar zgjatjen e armëpushimit të përkohshëm dhe rritjen e ndihmës humanitare për Rripin e Gazës.

Pas mbërritjes së Blinken në Izrael u njoftua dhe shtyrja e armëpushimit për një ditë më shumë, me palët që ranë dakord vetëm në sekondat e fundit përpara përfundimit të afateve.

Kushtet do të jenë të njëjta, Izraeli do të lirojë adoleshentët dhe gratë e arrestuara, teksa Hamasi do të lëshojë pengjet që sipas vlerësimeve mendohet të jenë ende mbi 150.

Gjithashtu, Izraelit do t’i duhet dhe të lehtësojë hyrjen e ndihmave dhe medikamenteve mjekësore në Gazën tashmë të rrënuar nga lufta.

Mbrëmjen e kaluar, kryeministri Netanjahu iu përgjigj interesit të qytetarëve përmes një deklarate se tri synimet e Izraelit në Gaza nuk do të lihen pas dore. Sipas tij, lirimi i pengjeve, shkatërrimi i Hamasit dhe shmangia e rreziqeve prej tij në të ardhmen vijojnë të mbeten prioritet.

Pas mesnatës, 30 palestinezë të tjerë u liruan nga burgjet izraelite, por këtë herë identiteti i tyre nuk është bërë me dije.

Ndërkohë të shtëna me armë u regjistruan në orët e para të mëngjesit në Jerusalem. Dy persona qëlluan ndaj civilëve që po qëndronin në një stacion autobusi duke vrarë dy prej tyre dhe plagosur 6 të tjerë.

Reagimi i forcave të sigurisë ishte i menjëhershëm, të cilët neutralizuan menjëherë agresorët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos