Shpenzimet ushtarake globale arritën një rekord të ri në vitin 2023 për të nëntin vit radhazi, sugjeron një raport i publikuar sot.
Sipas këtij raporti, të publikuar nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes me qendër në Stokholm, SIPRI, shpenzimet ushtarake në terma realë, pa inflacionin, u rritën me 6.8% në vitin 2023, duke arritur në 2.44 trilionë dollarë, kundrejt 2.24 që ishin në vitin 2022.
Kjo është rritja më e madhe vjetore që nga viti 2009, e ndikuar kryesisht nga lufta në Ukrainë, nënvizon Instituti.
Të 10 vendet me shpenzimet më të larta ushtarake në botë e kanë rritur në masë të madhe prodhimin.
"Të gjitha rajonet që ne studiojmë kanë parë një rritje. Bota ndihet më pak e sigurt dhe ndoshta po përdor masa të ashpra për sigurinë e tyre dhe jo mjete diplomatike”, i tha Agjencisë Gjermane studiuesi i SIPRI, Lorenzo Scarazzato.
“Shumë qeveri e perceptojnë përshkallëzimin e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë dhe për këtë arsye rrisin shpenzimet e tyre ushtarake, mbi të gjitha ato europiane, pas pushtimit të territorit ukrainas nga ushtria ruse në shkurt 2022”, shpjegoi ai.
SHBA-ja mbetet deri tani numri një në botë, me shpenzimet ushtarake që arrijnë në 916 miliardë dollarë. Pekini shpenzoi rreth 296 miliardë dollarë për forcat e armatosura ose rreth 12% të shpenzimeve ushtarake globale, 6 për qind më shumë nga viti në vit, sipas Institutit.
Me fjalë të tjera, SHBA-ja dhe Kina përbënin pothuajse gjysmën e shpenzimeve ushtarake globale, vitin e kaluar.
Shtatë vendet e para në renditje mbetën të pandryshuara nga viti 2022, sipas raportit. Rusia mbeti në vendin e tretë, e ndjekur nga India dhe Arabia Saudite.
Gjermania renditet e 7-ta, pak pas Britanisë. Berlini kritikohet shpesh sepse shpenzimet e tij ushtarake "nuk kanë arritur ende 2% të PBB-së së shtetit, që është edhe objektivi i NATO-s", vuri në dukje studiuesi Skaratzato.
Megjithatë, duhet marrë parasysh se Gjermania është vendi me shpenzimet ushtarake të dyta më të larta në Kontinentin e Vjetër dhe se përqindja e shpenzimeve të saj në vitin 2023 ishte 1.5% e PBB-së, megjithatë ajo është zotuar ta rrisë atë në 2% nga viti 2024 e në vazhdim.
Alexander Lurtz, një ekspert i çarmatimit në Greenpeace ka theksuar se Gjermania tani ka një kontribut të rëndësishëm në garën globale të armëve.
Shpenzimet ushtarake globale janë të barabarta me 2.3% të PBB-së globale. Rritja më e madhe e përqindjes në dhjetëshen e parë të renditjes u regjistrua në Ukrainë: ishte 51%, me shpenzimet që arritën në 64.8 miliardë dollarë. Nga vendi i 11-të në 2022, Ukraina renditej e 8-ta në 2023. Shpenzimet ushtarake përbënin gati të totalit të shpenzimeve të saj qeveritare.
Shifra është shumë më e lartë se ajo e Rusisë, ku shpenzimet ushtarake përbënin 16% të totalit të shpenzimeve publike.
Vende të tjera i kanë dhënë Kievit të paktën 37.3 miliardë dollarë ndihmë ushtarake. Shpenzimet ushtarake të Ukrainës dhe ndihma e huaj vlerësohet të përbëjnë 91% të shpenzimeve ushtarake ruse.
Në Rusi, shpenzimet ushtarake janë rritur me 24% në 109 miliardë dollarë në vitin 2023, vlerëson SIPRI. (A2 Televizion)