Qindra trena, tragete dhe fluturime janë anuluar pasi stuhia “Gerrit” ka goditur Britaninë e Madhe pak pas Krishtlindjeve duke sjellë reshje borë e shiu të dendur, të shoqëruara me erëra të forta.
Mijëra pasagjerë janë përballur me vonesa dhe anulime për shkak të stuhisë. Problemet më të rënda, sipas mediave britanike i ka sistemi hekurudhor. Linja midis Londrës dhe Lutonit është mbyllur për shkak të një problemi teknik, ndërsa për ditën e sotme pritet të anulohen të gjitha shërbimet.
Përmbytjet ndërkohë kanë ndërprerë shërbimet midis aeroporteve të Edinburgut dhe Mançesterit, si dhe Glasgow e Birmingham, ndërsa të paktën 18 fluturime të “British Airways” për dhe nga Heathrow janë anuluar për shkak të kufizimeve të kontrollit të trafikut ajror.
Anulimet e fluturimeve kanë prekur edhe vendet e tjera pasi nuk kanë të bëjnë vetëm me linjat e brendshme për në Aberdeen, Edinburg, Mançester dhe Glasgow, por edhe ato ndërkombëtare, për në Barcelonë, Berlin, Madrid dhe Paris.
Sakaq, në portin e Doverit radhët janë kilometrike dhe Autoriteti Portual ka paralajmëruar për vonesa që zgjasin të paktën dy orë.
Zyra e Meteorologjisë deri më tani ka lëshuar nëntë paralajmërime për motin, duke ngritur alarmin për erën që do të arrijë shpejtësinë 120 km/h.
Në shumë raste nga stuhia kanë mbetur pa energji familje dhe biznese, ndërsa për nesër janë dhënë edhe paralajmërime për mot më të rënduar. (A2 Televizion)