Akt armiqësor dhe shkelje të papranueshme sovranitetit të Irakut. Kështu i quajti Bagdadi sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara në territorin e vendit. Forcat amerikane kryen sulmet të hënën, duke shënjestruar milicitë e mbështetura nga Irani në Irak, në përgjigje të një sulmi të mëhershëm me dron që plagosi tre ushtarë amerikanë.
Sipas zyrtarëve irakianë, nga sulmet amerikane u vra një anëtar i forcave të sigurisë dhe u plagosën 18 persona të tjerë, përfshirë civilë. Sulmet amerikane të së hënës kishin në shënjestër tre qendra të përdorura nga grupi “Kataib Hezbollah” dhe milici të armatosura, siç bëri të ditur Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin përmes një deklarate.
“Këto sulme me saktësi të lartë janë një përgjigje ndaj një serie sulmesh kundër personelit amerikan në Irak dhe Siri nga milicitë e financuara nga Irani, duke përfshirë nga grupi Kataib Hezbollah. Sulmet synojnë të degradojnë aftësitë e grupeve të lidhura me Iranin, që janë drejtpërdrejt përgjegjës për sulmet ndaj forcave amerikane”, tha Lloyd Austin.
Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson tha se “Kataib Hezbollah”, si pjesë e një grupi ombrellë të militantëve të mbështetur nga Irani, mori përgjegjësinë për sulmin e së hënës, në të cilin një ushtar amerikan u plagos rëndë. Forcat amerikane dhe ato të koalicionit kanë operuar në rajon si pjesë e misionit për të luftuar grupin Shteti Islamik në Irak dhe Siri.
Këto forca janë nën sulme të vazhdueshme nga përfaqësuesit e mbështetur nga Irani me rreth 100 sulme te raportuara ndaj forcave amerikane që kur Izraeli filloi ofensivën kundër grupit militant të Hamasit në Rripin e Gazës.
Një breshëri raketash u lëshuan edhe të martën kundër forcave amerikane në një bazë patrullimi në Siri, por pa shkaktuar dëme ose viktima. (A2 Televizion)