Kasaphanë në Rripin e Gazës, Abbas: SHBA po zgjat luftën

Nga Rosalba Bejdo
27 Dhjetor 2023, 12:37 | Bota

Të paktën 241 viktima dhe gati 400 të plagosur në 24 orë. Bilanci i së martës ishte tragjik në Rripin e Gazës, ku ushtria izraelite ka zgjeruar operacion ushtarak. Tel Avivi bëri të ditur se kishte goditur më shumë se 100 pozicione të Hamasit, me shpërthime të forta që u dëgjuan edhe në orët e para të së mërkurës. Forcat e mbrojtjes e kanë intensifikuar fushatën gjatë periudhës festive, veçanërisht në zonat jugore dhe qendrore të territorit. Të paktën 6 persona u vranë edhe në Bregun e pushtuar Perëndimore, pasi Izraeli ndërmori një sulm me dron në kampin e refugjatëve të Nur Shams.

“Në këto spitale ka gjak kudo momentalisht. Rastet që mbërrijnë në derë të një shkalle që është e vështirë për t’u besuar, është një lumë gjaku, një kasaphanë, të cilën nuk e kemi parë ndonjëherë”, tha Sean Casey, koordinator i OBSH-së.

Presidenti i Autoritetit Palestinez e cilësoi luftën si një krim të rëndë kundër popullsisë së vet, të paprecedentë në historinë e vendit. Ndërsa akuzoi Uashingtonin se po zgjaste vuajtjet duke kundërshtuar rezolutat për armëpushim, Abbas tha se ajo që po ndodhte shkonte përtej katastrofës dhe përtej asgjësimit. Dhe tmerret duket se nuk do të përfundojnë në të ardhmen e afërt, teksa Izraeli paralajmëroi se lufta do të vijonte edhe për shumë muaj të tjerë.

“Ne nuk do të ndalemi. Nuk ekziston diçka të tillë. Nuk do të ndalemi. Lufta do të vazhdojë deri në fund”, u shpreh Benjamin Natanyahu.

Sipas autoriteteve palestineze gati 21 mijë vetë janë vrarë në11 javë luftime, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos