Një 35-vjeçar humbi jetën dhe pesë persona të tjerë u plagosën, duke përfshirë dy adoleshentë, gjatë të shtënave në metronë Bronx në Nju-Jork. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pas një përleshjeje që përfundoi në tragjedi.
Të shtënat ndodhën në orën 16:40 me orën lokale, kur metroja ishte e mbushur me shumë njerëz. Viktima është goditur në fytyrë dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital, ndërsa autori ka arritur të arratiset. Disa dëshmitarë raportuan se kishin dëgjuar dhjetë të shtëna.
Pesë personat e plagosur janë një vajzë 14-vjeçare, një djalë 15-vjeçar, një grua 29-vjeçare dhe dy burra të moshës 28 dhe 71 vjeç.
Disa nga të plagosurit kanë qenë kalimtarë të rastit që nuk janë përfshirë në sherr dhe që ndodheshin thjesht në platformë në momentin e të shtënave.
Të gjithë janë të shtruar në spital në gjendje të qëndrueshme. Sipas policisë, dy persona mund të kenë hapur zjarr pas një debati. Përleshja shpërtheu në bordin e trenit dhe më pas vazhdoi në platformën e stacionit, Mount Eden Avenue. (A2 Televizion)