Ukraina do të prodhojë mijëra dronë me rreze të gjatë veprimi, në gjendje për të goditur objektivë në thellësi të Rusisë gjatë vitit 2024. Këtë e tha ministri Digjital i Kievit, MykhailoFedorovi, sipas të cilit deri në 10 kompani mund të merren me prodhimin e dronëve që janë në gjendje të arrijnë Moskën dhe Shën Petersburgun.
Në një intervistë, Fedorov jep detaje mbi industrinë e dronëve, tek e cila Ukraina po mbështetet gjithmonë e më shumë për të sprapsur pushtuesit rusë që i kanë ngulur rrënjët në vend.
"Këtë vit do të kemi mijëra dronë. Nuk mund të them se sa saktësisht, sepse ky është informacion mjaft i ndjeshëm. Por unë mund të them se nuk ka kufi! Sa më shumë financim të ketë, aq më shumë tregu do të jetë gati për të prodhuar. Prodhimi i dronëve kamikazë me rreze të gjatë veprimi është në rritje. Ata mund të arrijnë në distance, 300, 500, 700 dhe 1 mijë km.
Siç thotë, 2.5 milionë dollarë grante ishin alokuar për teknologjinë ushtarake vitin e kaluar, një shifër që pritet të 10-fishohet në 2024. Ndryshe nga Rusia, ku prodhimi i dronëve dominohet nga shteti, shumica e prodhuesve në Ukrainë janë privatë.
Rusia sakaq, ka mohuar pretendimet e autoriteteve në Kiev se forcat ushtarake të Moskës, në zonat e pushtuara në lindje, po përdorin terminale të shërbimit të internetit të ofruar nga Starlink, në pronësi të miliarderit amerikan, Elon Musk.
SpaceX, e cila zotëron terminalet e Starlink, ka thënë përmes një deklarate më 8 shkurt se nuk bën biznese me qeverinë ruse apo ushtrinë e saj” dhe se shërbimet e saj nuk funksionojnë në Rusi. Edhe Kremlini tha se sistemi satelitor i internetit Starlink, nuk ishte i certifikuar Rusinë, dhe prandaj nuk mund të përdorej. (A2 Televizion)