Tjetër natë bombardimesh, Netanyahu: Izraeli nuk kërkon të pushtojë Gazën, Hamasi do të zhduket

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2023, 07:50 | Bota
Tjetër natë bombardimesh, Netanyahu: Izraeli nuk kërkon të
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu

Izraeli nuk do të kërkojë të pushtojë apo qeverisë Gazën pas luftës kundër Hamasit, por një forcë e besueshme do të nevojitet për të hyrë në enklavën palestineze, nëse është e nevojshme për të parandaluar shfaqjen e kërcënimeve ushtarake. Kështu u shpreh kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i intervistuar nga Fox News.

"Unë mendoj se është e qartë se si duhet të jetë e ardhmja e Gazës. Hamasi do të zhduket. Ne duhet ta shkatërrojmë atë për të mirën e të gjithëve, për të mirën e qytetërimit dhe për të mirën e palestinezëve dhe izraelitëve", tha Netanyahu.

Ai përsëriti qëndrimin se qeveria e tij nuk do të pajtohej me një armëpushim në Gaza.

"Kjo do të thoshte dorëzim ndaj Hamasit, dorëzim ndaj terrorit dhe fitore e boshtit të së keqes së Iranit. Nuk do të ketë armëpushim pa lirimin e pengjeve”, nënvizoi kryeministri izraelit.

Ndërkohë Gaza përjetoi një tjetër natë bombardimesh të rënda, me forcat izraelite që synojnë infrastrukturën civile, duke përfshirë disa spitale.

Human Rights Watch thotë se mijëra pacientë dhe palestinezë të zhvendosur që strehohen në spitalin al-Shifa në qytetin e Gazës përballen me “rreziqe të rënda”.

Zëdhënësi i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza thotë se sulmi izraelit goditi oborrin e kompleksit mjekësor al-Shifa.

Shtëpia e Bardhë thotë se Izraeli ka rënë dakord për një pauzë të përditshme katërorëshe në luftimet për të lejuar palestinezët të largohen nga Gaza veriore.

Ushtria izraelite nisi sulmet në Siri herët të premten, në përgjigje të një droni që goditi një ndërtesë shkolle në Eilat të enjten.

Të paktën 10.812 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori. Në Izrael, numri i të vdekurve është më shumë se 1400.

 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni