Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka folur ditën e sotme në Mëngjesin Kombëtar të Lutjes në Uashington.
“Duhet ta kthejmë fenë”, ishin fjalët me të cilat Trump e nisi deklaratën e tij para të pranishmëve, shkruajnë mediat e huaja.
Duke iu drejtuar audiencës së mbledhur në Sallën Statuare të Kapitolit, Trump tha se ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të krijuar një park të ri kombëtar "të mbushur me statuja të amerikanëve më të mëdhenj që kanë jetuar ndonjëherë".
Trump po ashtu nderoi 67 personat e vrarë nga një përplasje mes një avioni pasagjerësh dhe një helikopteri ushtarak mbi lumin Potomac në Uashington, përpara se të fliste për atentatin për vrasjen e tij në Pensilvani në korrik.
"Askush prej nesh nuk e di saktësisht se kur do të përfundojë koha jonë në tokë. Asnjëherë nuk e dini. Një të vërtetë me të cilën u përballa disa muaj më parë kur ndodhi një incident që nuk ishte argëtues. Nuk ishte gjë e mirë. Por Zoti po më shikonte", tha Trump më tej, shkruan A2 CNN.
Deri më tani, presidenti i është përmbajtur skenarit të tij, por ai po shpenzon disa minuta duke përmbledhur ngjarjet e asaj dite.
“Nuk më preku flokët, a mund ta besoni”, thotë ai për plumbin, teksa bënte për të qeshur në dhomë.
Ky është i pari nga dy mëngjeset e lutjes që presidenti po merr pjesë sot, me të dytin në hotelin Washington Hilton më vonë këtë pasdite, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)