Udhëheqësit arabë dhe myslimanë, thirrje për armëpushim në Gaza dhe kritika ndaj Perëndimit

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2023, 17:21 | Bota

Udhëheqësit arabë dhe myslimanë, thirrje për

Udhëheqësit në Samitin e Jashtëzakonshëm të Përbashkët Arabo-Islamik që u mbajt të shtunën në Riad përsëritën thirrjet për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit ndërsa situata humanitare në Gaza përkeqësohet.

Presidenti iranian Ebrahim Raisi ndodhet në kryeqytetin saudit për samitin, duke shënuar kështu edhe udhëtimin e parë të një lideri iranian në Arabinë Saudite në 11 vjet, pasi të dy vendet rivendosën marrëdhëniet diplomatike në mars.

Raisi tha se të pranishmit ishin mbledhur atje në emër të botës islame për të shpëtuar palestinezët.

Ndërkohë, Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman deklaroi gjatë fjalës hapëse të samitit se vendi i tij e kundërshton kategorikisht luftën brutale.

Ndërsa, për presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas, Shtetet e Bashkuara janë përgjegjëse për mungesën e një zgjidhjeje politike.

Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të t’i japë fund menjëherë “agresionit brutal izraelit ndaj palestinezëve" dhe përsëriti nevojën për të siguruar hyrjen e furnizimeve me ndihma në Gaza.

Kurse, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi në samit se "heshtja e botës përballë këtij brutaliteti na turpëron të gjithëve".

"Gaza është shkatërruar pothuajse plotësisht dhe vendet perëndimore as nuk po bëjnë thirrje për një armëpushim. …Nuk ka dyshim se kushdo që hesht për padrejtësinë është partner në praktikën e padrejtësisë”, shtoi Erdogan.

 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu