Ukraina shkatërron anijen ruse. Sulm raketor në Krime, viktima dhe të plagosur

Nga Rosalba Bejdo
26 Dhjetor 2023, 15:14 | Bota

Pas kundërofensivës zhgënjyese në terren, forcat e Kievit kanë mundur të sigurojnë një fitore të rëndësishme ndaj Rusisë këtë fundvit. Ukraina sulmoi një anije të madhe ruse në portin e Fedosias, në gadishullin e aneksuar të Krimesë, duke vrarë një person.

Lajmi u konfirmua nga Moska të martën, pasi Kievi raportoi më herët se kishte shkatërruar një luftanije të rëndësishme ruse me raketa Cruz. Ministria e Mbrojtjes në Rusi u citua nga agjencia e lajmeve Interfax të thotë se Ukraina kishte ndërmarrë një sulm raketor kundër Fedosias dhe se anija gjigante e zbarkimit “Novocherkassk” ishte dëmtuar.

“Novocherkassk”, e cila u ndërtua në Holandë dhe nisi shërbimin në fund të viteve ‘80, është e projektuar për zbarkime amfibe dhe mund të mbajë lloje të ndryshme të mjeteve të blinduara, përfshirë tanke. Pamje të publikuara në disa media ruse në Telegram tregojnë shpërthime të fuqishme dhe zjarr në port.

Guvernatori i instaluar nga Moska në Krime, Sergei Aksyonov, bëri të ditur se përveç një personi të vrarë, dy të tjerë ishin plagosur dhe 6 vetë ishin evakuar nga shtëpitë e tyre. Edhe pse kundërofensiva ukrainase ka shënuar pak përparim në terren dhe trupat e Moskës kanë rimarrë hov në disa zona, Kievi ka qenë në gjendje të kryejë një sërë sulmesh ndaj Krimesë, ku gjendet flota ruse në Detin e Zi, duke i shkaktuar dëme serioze. 

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani