Ky është momenti kur dhjetëra trupa izraelite, përfshirë disa të veshur si gra palestineze dhe staf mjekësor, mësyjnë spitalin Ibn Sina në Bregun perëndimor. Imazhet e realizuara nga kamerat e sigurisë, tregojnë ushtarët e maskuar, teksa lëvizin të armatosur në korridorin e spitalit.
Sipas Tel Avivit, komandot kishin vrarë tre terroristë të armatosur në spitalin e qytetit të Jenin, të cilët ishin fshehur atje dhe planifikonin një sulm të frymëzuar nga ai 7 tetorit.
Hamas, që dënoi ashpër vrasjen, pretendon se një nga viktimat ishte nga radhët e tij, ndërsa dy të tjerët duket se i përkisnin fraksionit rival të Xhihadit Islamik.
Ndërsa intensifikojnë aksionet në Bregun Perëndimor, forcat izraelite vijojnë pa u ndalur luftën në Rripin e Gazës, ku 25 civilë u vranë gjatë bombardimeve në një lagje në lindje të Gazës.
“Po përqendrohemi në zonën e Khan Junis ku kemi eliminuar më shumëse 2 mijë terroristë, mbi edhe nën tokë. Kemi shkatërruar gjithashtu infrastrukturë të rëndësishme nëntokësore”, deklaroi Daniel Hagari, zëdhënës i Ushtrisë.
Mbi 26 mijë e 600 palestinezë janë vrarë dhe rreth 65 mijë të tjerë janë plagosur nga sulmet e ushtrisë izraelite që prej nisjes së luftës më 7 tetor. Izraeli pretendon se ka eliminuar mbi 9 mijë pjesëtarë të Hamasit në Gaza dhe se 221 nga ushtarët e vet kanë humbur jetën në luftime.
Lideri i grupit që udhëheq enklavën Ismail Hanijeh tha të martën se kishte marrë një propozim për armëpushim pas bisedimeve në Paris, të cilin siç tha, do të studionte. E megjithatë ai theksoi se prioritet i Hamasit ishte t’i jepte fund ofensivës ushtarake dhe tërheqja e plotë e trupave të izraelit nga Gaza. (A2 Televizion)