Vritet dhëndri i Nasrallah, Izraeli bombardon sërish qendrën e Bejrutit, ka viktima

Nga Xhevahir Qardaku
3 Tetor 2024, 15:43 | Bota

Një tjetër natë zjarri mbi Bejrut. Izraeli ka lëshuar sërish sulme ajrore mbi kryeqytetin e Libanit. Raportohet për 5 njerëz të vrarë dhe 8 të tjerë të plagosur. Në shënjestër ishte një pallat shumëkatësh në zemër të Bejrutit, në të cilin pretendohet se ekzistonte dhe një qendër shëndetësore e Hezbollahut. Ushtria e Izraelit njoftoi se zhvilloi aty një sulm me preçizion të lartë. Bombardimi ndodhi vetëm pak metra larg parlamentit të Libanit.

“Në kufijtë tanë, anëtarët e Hezbollahut i vranë ata, por izraelitët vijnë dhe vrasin njerëzit tanë këtu. Vetëm kaq janë në gjendje të bëjnë ata”, shprehet një banor në Bejrut, raporton A2.

Ushtria izraelite zhvilloi dhe të paktën 5 sulme të tjera ajrore në jug të Libanit, bashkë me to lëshoi dhe një urdhër për largimin e civilëve në atë zonë. Forcat e Tel Avivit kanë humbur 8 ushtarë në inkursionin tokësor në shtetin fqinj. Hezbollahu njofton se ka shkatërruar tanke izraelite gjatë luftimeve dhe paralajmëron se ka mjaftueshëm burra dhe municion për të shtyrë pas ushtrinë e shtetit hebre.

Përpara këtyre sulmeve, ministria e Shëndetësisë e Libanit konfirmoi vdekjen e 46 personave në 24 orët e kaluara, pa saktësuar nëse ishin civilë apo luftëtarë. Mes tyre ishte dhe një amerikan që jetonte në shtetin e Miçiganit.

Ndërkohë, ish-lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, kishte pranuar një armëpushim me Izraelin pak përpara se të vritej në Bejrut. Këtë e konfirmoi ministri i jashtëm i Libanit, Abdullah Bou Habib, sipas asaj që raporton agjencia turke e lajmeve, Anadollu.

Sakaq, raportohet të jetë vrarë dhe dhëndri i ish kreut të Hezbollahut Nasrallah. Ai ka humbur jetën pas një sulmi në Damask të Sirisë, të dyshuar të kryer nga Izraelit, pavarësisht se Tel Avivi nuk ka komentuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos