Zbulohet arsyeja përse Cameron ndërpreu vizitën në Tiranë më herët

Nga A2 CNN
22 Maj 2024, 16:30 | Bota

Zbulohet arsyeja përse Cameron ndërpreu vizitën në

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, e ka ndërprerë në mes vizitën e tij në Tiranë, duke mos i shkuar deri në fund agjendës së takimeve të njoftuar më herët.

Zërat e shtuara për zgjedhje të parakohshme në Britaninë e Madhe në mes të korrikut apo riformatimi i mundshëm i qeverisë, kanë bërë që kreu i diplomacisë të shmangë takimet me presidentin Begaj në Tiranë dhe vizitën te Piramida, për të qenë i pranishëm në mbledhjen e kabinetit që do të mbahet më vonë, gjatë ditës.

Sekretari i Mbrojtjes, Grant Shapps, gjithashtu ka shtyrë fluturimin e tij për të marrë pjesë në takimin e NATO-s në shtetet baltike, teksa Kancelari Jeremy Hunt është tërhequr nga emisioni Peston i ITV sonte.

Ndërkohë, mediat britanike shkruajnë se kryeministri Sunak do të ketë një njoftim shumë të rëndësishëm, këtë pasdite, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Sekretari Cameron mbërriti, mëngjesin e së mërkurës, në Tiranë, ku u prit nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani. Ai zhvilloi një deklaratë të përbashkët me kryeministrin Rama pas takimit të zhvilluar në ambientet e kryeministrisë.

Cameron deklaroi se Britania e Madhe synon të jetë më e pranishme në Ballkanin Perëndimor, si përmes bashkëpunimeve dypalëshe, ashtu edhe me investime direkte, teksa bisedoi me kreun e qeverisë dhe për hekurudhën që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën.

 

 

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024